Ky lloj kanceri quhet Hepatocellular carcinoma, dhe është një tumor shumë agresiv që prek mëlçinë.
Në ditët e sotme, një studim i kryer nga studiues italianë në Universitetin Aldo Moro në Bari, tregon se si me anë të analizimit të niveleve të kolesterolit “të mirë” (HDL) në gjak, mund të “llogaritet” rreziku i zhvillimit të kancerit deri në pesë vjet para se simptomat të shfaqen.
Ky lloj kanceri shkaktohet nga një zhvillim i pakontrolluar i qelizave të mëlçisë shpesh të prekura nga cirroza.
Deri pak vite më parë, shumica e tumoreve të këtij organi shoqëroheshin me infeksione nga hepatiti B dhe C.
Por sot, dihet se mund të zhvillohet edhe tek njerëzit pa infeksion, por që kanë steatozë hepatike. Një akumulim yndyre në mëlçi, që njihet si “mëlçia e dhjamosur”, e cila shkakton një gjendje inflamacioni kronik.
Ky inflamacion mund të çojë në fibrozë, dhe fibroza nxit kancerin. Për këtë arsye, konsiderohet një sëmundje metabolike nga Shoqata Evropiane për Studimin e Sëmundjeve të Mëlçisë.
Autorët e studimit, në bazë të analizave që kryen, dolën në përfundimin se ata me mëlçi të dhjamosur dhe të shoqëruar me një rritje në madhësinë e belit, kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të këtij tumori brenda pesë viteve të ardhshme.
Hulumtuesit shprehen se ky informacion është shumë i dobishëm, pasi lejon ndjekjen e pacientëve që janë të rrezikuar dhe lejon marrjen e masave paraprake para se ata të sëmuren.
Çfarë mund të bëni?
Studiuesit këshillojnë që të ndiqet një stil jetese e shëndetshme që ndihmon shëndetin e mëlçisë dhe gjithashtu të merrni mjekimin që mjeku juaj rekomandon.