Albina Selmanaj
Njerëzit me diabet kanë një rrezik në rritje të zhvillimit të gangrenës . Kjo është për shkak se nivelet e larta të sheqerit në gjak që lidhen me gjendjen mund të dëmtojnë nervat tuaja, veçanërisht ato në këmbët tuaja, të cilat mund ta bëjnë të lehtë dëmtimin e vetes pa e kuptuar.
Për të kuptuar më shumë rreth kësaj sëmundje, Familja jonë ka intervistuar endokrinologun, Amir Rexhepi i cili ka dhënë shumë detaje që kanë rëndësi në përballjen me këtë sëmundje.
Gjatë intersvistës endokrinologu, Rexhepi ka shpjeguar më saktësishtë rreth asaj se çfarë është Gangrena diabetike dhe ka përshkruar mënyrën se si zhvillohet kjo sëmundje në trupin tonë.
Ndër të tjera, Rexhepi ka përshkruar në detaje edhe mënyren e trajtimit të kësaj sëmundje.
Për më shumë detaje lexoni tekstin e plotë më poshtë:
Ç’është GANGRENA DIABETIKE?
Gangrena diabetike, apo gangrena e këmbës, është stadi i fundit i dëmtimit të këmbës nga diabeti që, në gjuhën mjekësore, quhet “këmba diabetike”. Këmba diabetike fillon me shfaqjen e hiperkeratozës (tharja dhe rënia e lëkurës), kallot, plagët ulceroze të këmbës.
Ulçeracionet e këmbës diabetike (shfaqja e ulçerave në këmbë) janë akoma të shpeshta, të rënda, dhe problematike në vendin tonë.
Në stadet më të avancuara, procesi i shkatërrimit dhe i kalbjes së këmbës përparon në thellësi duke prekur kockat e këmbës që quhen metatarse dhe tarse dhe shkakton, infeksionin e kockës që, në mjekësi, quhet osteomielitis.
Fillimisht, bëhet mjekimi lokal i gangrenës, që konsiston në heqjen e pjesëve të kalbura, largimin (drenimin) e qelbit, nëpërmjet metodave mikrokirurgjikale (operacioneve të vogla).
Krahas mjekimit lokal, bëhet edhe mjekimi i përgjithshëm me antibiotikë të fuqishëm dhe me spektër të gjerë veprimi, për të luftuar infeksionin dhe shokun septik. Në rastet e anemisë bëhet mjekimi i saj me medikamente të hekurit dhe acid folik, dhe në rastet tepër të rënda mund të bëhet edhe transfuzion gjaku.
Në të sëmurët me gangrenë diabetike dhe insuficiencë renale akute, mjekimi bëhet në konsultë me nefrologun, dhe shpesh here këta të sëmurë kalojnë në procesin e dializës (pastrimin e gjakut me aparatin përkatës).
Gangrena diabetike e këmbës është ndërlikim madhor i diabetit me kosto tepër të lartë mjekimi, që kërcënon seriozisht jetën e të sëmurëve.