Një modë e re e dëmshme po përhapet në SHBA. Një ilaç që shërben për diabetin e tipit 2, po përdoret masivisht për dobësim.
Fenomeni shpërtheu pasi në rrjetet sociale kohët e fundit, nën hashtagun e emrit të principit aktiv, pati 350 milionë klikime.
Mjekët shpjegojnë se ky trajtim, që mund të merret në dy mënyra, nga një kokërr çdo ditë, ose një injeksion në javë, përveç mjekimit, ka si efekt edhe një ndikim në dobësim.
Madje FDA në SHBA e ka aprovuar për të trajtuar pacientët obezë që kanë probleme të rënda me shëndetin. Ndërsa në vendet e tjera ky medikament mund të përdoret vetëm për pacientët që vuajnë nga diabeti.
Mirëpo përdorimi masiv në mënyrë të parregullt, ka sjellë mungesa të theksuara në farmacitë amerikane, dhe pasojat po I vuajnë pacientët që e kanë të nevojshëm këtë ilaç për kurimin e diabetit.
Ndërkohë që në SHBA abuzimi që po bëhet me këtë ilaç për efekte vetëm estetike, po kthehet në shqetësim serioz, pasi përtej mungesave për pacientët, ka edhe pasoja për organizmin e njeriut në ato raste kur nuk është i nevojshëm dhe nuk përdoret për kurim.