Sot, më 8 nëntor, shënohet Dita Botërore e Radiologjisë, një ditë kushtuar rolit të rëndësishëm që luan radiologjia në mjekësinë moderne. Kjo ditë kremtohet në mbarë botën për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e imazherisë mjekësore në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve.
Dita është zgjedhur në nder të zbulimit të rrezeve X nga Wilhelm Conrad Röntgen më 8 nëntor 1895, një moment që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si mjekësia sheh brenda trupit të njeriut pa ndërhyrje kirurgjikale.
Çdo vit, kjo ditë fokusohet në një temë të veçantë që lidhet me zhvillimet e fushës. Radiologët, teknologët e imazherisë dhe profesionistë të tjerë mjekësorë në mbarë botën organizojnë aktivitete, seminare dhe fushata informuese për të theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe përdorimit të sigurt të rrezatimit.
Radiologjia përfshin një gamë të gjerë teknikash. nga rrezet X, ultratingujt, skaneri CT dhe rezonanca magnetike, deri te teknologjitë më të avancuara të imazherisë digjitale dhe inteligjencës artificiale. Këto metoda ndihmojnë çdo ditë në shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Në këtë ditë të veçantë, falënderimi shkon për të gjithë profesionistët e radiologjisë që me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuojnë në diagnozën e saktë dhe trajtimin efektiv të pacientëve.












