Kërkoni një arsye për t’u larguar nga shtëpia? Studimet tregojnë se të qëndruarit jashtë dhe të përjetuarit e natyrës mund të përmirësojë shëndetin mendor dhe të rrisë aftësinë për t’u përqendruar.
Shumë prej nesh kalojnë pjesën më të madhe të ditës para një ekrani, qoftë kompjuteri, televizori apo telefoni. Si rezultat, kalojmë më pak kohë jashtë duke përjetuar botën natyrore. Ja disa arsye pse të gjithë mund të përfitojmë nga një pushim në natyrë.
1. Natyra përmirëson mendimin dhe aftësitë mendore
Kur qëndrojmë gjithë ditën në mjedise urbane ose në zyrë, shpesh përjetojmë mbingarkesë sensory, që shkakton tension dhe lodhje mendore. Studimet tregojnë se qëndrimi në natyrë ndihmon trupin dhe mendjen të qetësohen. Kjo rrit ndjenjat e kënaqësisë dhe ndihmon të përqendrohemi më mirë.
Të qenit jashtë mund të shërbejë si një pushim mental, duke na lejuar të largohemi për pak nga kërkesat e përditshme. Gjithashtu kjo gjë mund të rrisë kreativitetin dhe aftësitë për të zgjidhur probleme.
Për shembull, nëse po hasni vështirësi me shkrimin e një eseje apo nuk mund të gjeni zgjidhje për një problem pune, dilni jashtë për pak ajër të pastër. Një shëtitje e lehtë rreth lagjes apo zyrës mund t’ju ndihmojë të gjeni përgjigjet që po kërkoni.
2. Natyra përmirëson shëndetin fizik
Të qenit jashtë nxit aktivitetin fizik. Mund të ecim, bëjmë çiklizëm, hiking apo të provojmë aktivitete si kayak. Njerëzit zakonisht angazhohen më shumë në aktivitet fizik kur janë në natyrë. Prandaj, një shëtitje jashtë mund të ndihmojë për të ruajtur peshën trupore ose edhe për ta ulur atë.
Studimet tregojnë gjithashtu se qëndrimi në natyrë ndikon pozitivisht tek trupi duke ulur nivelin e kortizolit, tensionin e muskujve dhe kërkesat ndaj sistemit kardiovaskular, duke ulur ritmin e zemrës dhe presionin e gjakut. Të qenit shpesh jashtë mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu, natyra ndihmon rritjen e nivelit të vitaminës D, e cila është e rëndësishme për kockat, qelizat e gjakut dhe sistemin imunitar.
3. Të qenit jashtë përmirëson shëndetin mendor
Natyra ndihmon në uljen e ankthit dhe stresit, si dhe zvogëlon ndjenjat e zemërimit. Ushtrimet fizike ndihmojnë gjithashtu, por efektiviteti rritet kur bëhen jashtë në natyrë.
Hyrja e rregullt në hapësira të gjelbra lidhet me ulje të rrezikut për depresion dhe përmirësim të përqendrimit. Të qenit jashtë na mundëson të lidhemi me të tjerët, qoftë familjarë, miq apo edhe persona të rinj gjatë shëtitjeve apo hiking-ut.
Ekspertët thonë se ekspozimi i rregullt ndaj dritës natyrale ndihmon të keni gjumë më të mirë. Drita e diellit ndihmon rregullimin e cikleve të gjumit dhe të zgjimit. Duke u siguruar që dilni çdo ditë në diell, mund të përmirësoni cilësinë e gjumit gjatë natës.
Përfitime të tjera të natyrës
- Njerëzit që jetojnë pranë parqeve dhe hapësirave të gjelbra ndihen më pak të stresuar, janë më aktivë fizikisht dhe jetojnë më gjatë.
- Qëndrimi në natyrë mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kronike dhe të vdekjes së parakohshme.
- Ushtrimi jashtë në natyrë zakonisht zgjas më shumë dhe bëhet me intensitet më të madh.
- Efektet pozitive për shëndetin rriten kur hapësirat e gjelbra përfshijnë edhe ujë, si liqene apo lumenj.
Ushtrime të shpejta që mund t’i bëni jashtë kur nuk keni shumë kohë
Nëse keni një orar të ngjeshur dhe nuk keni shumë kohë për të dalë jashtë, këto ide mund t’ju ndihmojnë të merrni një dozë të shpejtë natyre:
5 minuta: Qëndroni jashtë për të marrë rrezet e diellit ose hiqni këpucët për të ndjerë barin midis gishtave të këmbëve. Nëse moti nuk është i mirë, mund të kaloni disa minuta duke parë përreth nga një dritare.
25 minuta: Dilni për një shëtitje të shkurtër dhe merrni frymë thellë disa herë. Mund të hani drekë jashtë ose të bëni një bisedë telefonike apo një takim jashtë. /UC Davis Medical Center/












