Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Rrëfimi i nënës: Si filloi të rrah sërish zemra e të birit!

Histori e shkruar nga nëna Zejnepe Duriqi

Ti erdhe nga një dashuri shumë e sinqertë. Nëntë muaj të përkëdhelëm në barkë, të imagjinuam, madje edhe të emëruam qysh në muajt e parë të shtatzënisë.
Dhe erdhe si një rreze dielli, si një ajër pa të cilën nuk mund të jetojmë. Të shkonte shumë emri “Ajër” të cilën ne zgjodhëm për ty.

Ishe pak i lodhur pas shumë orëve mundim deri sa linde, dhe mjekët të morën nga unë e të vendosën në inkubatorë, unë vija çdo minutë për të të shikuar, të ushqeva me qumësht gjiri, dhe ti fillove ta marrësh vetën.
Por në ditën e katërt të ardhjes tënde pas shumë analizave mjekët konstatuan që ti ke lindur me një problem në zemër, e mbajë mend si tani kur më thanë “Djali juaj ka një vrimë në zemër”.
U frikësova, qava, lexova shumë, kërkova ndihmë dhe deshi zoti shumë shpejtë gjeta njerëz me zemër të madhe të cilët më ndihmuan që ty të dërgojë për shërim jashtë vendit, me që këtu ende nuk bëhen  intervenime të tilla.

Shkova bashkë me ty në Itali, në një spital që as në imagjinatën time  se kisha parë, një mikpritje sikur të isha pjesë e tyre, dhe për fatin tonë të mirë aty takuam 4 nëna tjera shqiptare të cilat po luftonin për shëndetin e të vegjëlve të tyre.

Larg familjes, larg më të dashurve tanë dhe duke u përballur me sfida të ndryshme,  duke u lutur shumë prisnim para derës sallës së operacionit me orë tëra pa asnjë lajm, vetëm e vetëm të dilte dikush nga aty më një shikim premtues për ne.

Ne të 5-tat qëndruam bashkë përkrah  njëra-tjetrës, të forta e të motivuara. Shpresa jonë ishte barabartë me zero, por prapë qëndruam të forta sepse ne i duheshim të forta fëmijëve tonë.

Derisa sa ne të dërmuara, pa gjumë prisnim ,ju të 5-tit ishit brenda në ato sallat e ftohta të operacionit, në sallat intensive ku na lejonin vetëm pak minuta të ju shihnim.

Ju flisnim, ju flisnim e ju flisnim, por kjo dukej sikur të i drejtoheshim disa kukullave në dritare të dyqanit  e s’të kthejnë asnjë reagim, madje as lëvizje qerpikut. Por ne vazhdonim me fol, me iu tregu se sa shumë ju duam.

Ishim 5 gra shqiptare larg burrave të tyre, duke luftuar për 5 zemra të vogla të fëmijëve tonë, në një vend të huaj ku nuk dinim asnjë fjalë të gjuhës së tyre. Por ky vend ishte mikpritës, na ndihmonin pa asnjë kusht që ne të kemi bebushët tanë në duar tona sot e ti jetojmë ditët më të lumtura, na motivonin me zemërgjerësin, humanitetin, vullnetin e tyre.

Prandaj, unë përmes historisë sime dua të inkurajojë çdo nënë që ka halle e brenga në jetë të motivohet nga ne, të qëndrojë në këmbët e veta, të luftojë edhe me luftën e fjalëve të botës që gjithmonë do mbetët lufta më e fortë, por të cilën ne e sfiduam, e luftuam dhe e mundem. Ne nuk u brengosëm nëse bota na shau,  nëse na përqeshi, na përuli si nëna me moral të ulët që e marrin botën në sy pa burrin përpara vetës, si nëna të përdala që largohen nga familja  e marrin botën me fëmijën e sapolindur nëpër duar. Ne kishim një qëllim në jetë ai ishte vetëm shëndeti i fëmijëve tanë.

Ja dolëm ne do ja del çdo nënë tjetër, ne do jemi përkrahëset më të mëdha të çdo nëne me fëmijë në duar, çdo nëne që mendon se bota i është shembur para këmbëve, ne do të i ndihmojmë që ti ndërtojë shkallët e realitetit të jetës me mundin e saj dhe po me atë mund të ngjitet mbi to kryelartë.

Ne 5 nënat shqiptare nuk njiheshim më parë, ne u takuam në betejën e jetës, në betejën e zemrave të fëmijëve tanë, zemra qe rrihnin pa pushim e pa qetësi, zemra të vogla që u shkaktonin probleme të mëdha në shëndetin e tyre. Ne nuk njiheshim, ne na bashkoi gjuha e kombi ( jo pse ishim patriote), por ne u bashkuam për forcë të njëra-tjetrës dhe forcim të zemrave tona të vogla që ishin krijuar nga zemrat tona dhe kishin rrahur brenda nesh  9 muaj me radhë në ritmin e njëjtë të tik-takeve të zemrave tona,

Lufta e zemrës na bashkoi e sot ne duam te inkurajojmë edhe nëna tjera që zemra e fëmijës qe iu rrahu brenda vetës të rrah edhe jashtë saj shume më shumë se zemra nënës, të jetojnë fëmijërinë të lumtur, të rriten të shëndetshëm, të jetojnë gjatë të bëhen prindër, gjyshër, stërgjyshër.

Ne nënat shenja të tregimit kemi rrudhat në fytyrat tona të njoma që na erdhën nga mërzia e stresi i që përjetuam për shëndetin fëmijëve tonë, plakjen e parakohshme nga mbingarkesa shpirtërore që na mbingarkojë rruga e quajtur: “Jetë e lumtur për fëmijën tënd”. Edhe fëmijët tonë do kenë një shenjë në gjoksin e tyre që do i përcjell gjatë gjithë jetës,  një shenjë kjo e cila brenda sikur shkruan “Ti mund të jetosh tani”

Unë dhe babi yt biri im , kërkuam ndihmë derë më derë, quajtëm natën e ditën, trokitëm në derë të çdo mjeku, kalova dhe kufij që ti sot të jetosh.

E sot ne jetojmë çdo ditë të lumtur, ti tashmë u bëre 8 muajsh, me ty flemë me ty zgjohemi, kalojmë orë duke të shikuar kur flenë e duke falënderuar Zotin që ti sot frymon pranë neve. Buzëqeshja jote, dora jote e vogël e cila lehtas më prek faqen, frymëmarrja jote, tingulli i zemrës tënde sot janë motivi kryesorë i jetës sonë.

E këtë lumturi duhet ta përcjellim tek të tjerët duke u dhënë këtë mesazh : “Prindër të dashur kurdo që sfidoheni me shëndetin e fëmijëve tuaj, lufto deri në momentin e fundit, por edhe momentin e fundit numëroje se është momenti i fillimit dhe rifillo prapë nga e para!”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë