Shkruar nga : Blerim Myftiu – Neurolog
Marramendja periferike (vertigo pozicionale paroksizmale beninje) është me gjasë forma më e shpeshtë e marramendjes të cilën e vuajnë njerëzit.
Veçoria kryesore e kësaj marramendjeje është se ajo provokohet pas ndryshimit të pozitës së kokës dhe të trupit. Pra, përderisa personi qëndron i qetë dhe pa lëvizje, mund të jetë mirë. Mirëpo në çastin e ndryshimit të pozitës, p.sh. përkulja përpara për t’i lidhur këpucët, shtrirja prapa në shtrat, rrotullimi në shtrat nga njëra anë në tjetrën, frenimi i shpejtë në veturë, paraqitet marramendja e cila është zakonisht në formën e rrotullimit të objekteve dhe gjësendeve përreth pacientit. Në të shumtën e rasteve, kjo përcillet me mundimin dhe ndjenjën për të vjellë. Marramendja dhe simptomat përcjellëse zgjasin disa sekonda dhe me ndërprerjen e lëvizjes, ajo zbutet apo pushon.
Intensiteti i marramendjes është i ndryshueshëm – mund të jetë shumë i lehtë me një marramendje që nuk e pengon në punën e përditshme deri te ajo e rëndë, kur pacienti nuk mund ta bëjë as lëvizjen më të vogël. Marramendja shfaqet shpejt, zgjat disa ditë deri në disa javë dhe mund të mos përsëritet më kurrë gjatë jetës.
Shkaku i kësaj marramendjeje supozohet të jetë çrregullimi i funksionimit të organit të drejtpeshimit në veshin e brendshëm. Prandaj, pacientët me këtë lloj marramendjeje duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit të mirëfilltë të veshit, ku manovrat përkatëse (si ajo Dix-Hallpike) shërbejnë për ta diagnostikuar dhe njëherësh trajtuar gjendjen. Shpesh, për ta përjashtuar dyshimin, nevojitet të realizohet rezonanca magnetike me të cilën bëhet vlerësimi edhe i trurit, por edhe i këndit pontocerebellar për problemet eventuale strukturale të pjesëve që kanë të bëjnë me veshin.