Këtë javë pritet të përfundojë cikli i parë i vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë kosovarë në Shqipëri. Ende pa përfunduar vaksinimi i rreth 500 mantelbardhëve, Federata Sindikale e Shëndetësisë ka pranuar qindra kërkesa të tjera të personave që kanë kërkuar të vaksinohen. Ndërkohë, disa prej të vaksinuarve patën reaksione të lehta pas marrjes së dozës së parë, të cilat po konsiderohen si reaksione normale pas vaksinimit.
Rreth 300 punëtorë shëndetësorë brenda një jave kanë arritur të vaksinohen në Shqipëri, derisa këtë të shtunë me rreth 200 punëtorë shëndetësorë që presin të vaksinohen do të përmbyllet cikli i parë i vaksinimit të stafit të mantelbardhëve kosovarë.
E ata që u vaksinuan deri më tani, sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, nuk patën ndonjë reaksion apo simptomë të theksuar nga vaksina e “Astrazenecas”.
Lodhje, temperaturë e ethe ishin disa prej simptomave që i patën disa prej punëtorëve shëndetësorë, të cilat konsiderohen reaksione normale të vaksinës.
“Nuk ka pas efekte anësore vetëm reaksione të cilat i japin vaksinat normale kokëdhimbje orët e para kanë pas temperaturë të ngritur kanë pas lodhje deri në dy tri ditë. Por të gjithë janë duke punuar kanë dal të nesërmen në punë nuk kemi ndonjë efekte tjetër”, ka thënë Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.
E në mesin e mjekëve të parë të cilët u vaksinuan ishte dhe gjinekologu Curr Gjocaj, i cili gjatë gjithë kësaj kohe kishte punuar në repartin e shtatzënave me Covid-19.
“Unë kam shkuar menjëherë pas kujdestarisë për t’u vaksinuar. Normal pasi jam vaksinuar kam pas një lodhej që mendojë më shumë është për shkak të punës. Nuk kam pas simptoma të tjera, ndërsa kolegë të tjerë më duket që kanë raportuar reaksione të lehta si lodhje e temperaturë”, është shprehur Gjocaj.
E në Federatën Sindikale të Shëndetësisë kanë arritur qindra kërkesa të tjera të mjekëve e punëtorëve të tjerë, që kanë kërkuar të vaksinohen.
Por kreu i Federatës thotë se ata i kanë shkruar një kërkesë ministrit të Shëndetësisë që tani e tutje me vaksinimin e stafit shëndetësor të merret kjo ministri.
“Unë kam marrë edhe shkresa zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe ambasada jonë në Tiranë dhe na kanë konfirmuar se janë siguruar këto doza. Unë pres që MSH ta marr përsipër këtë çështje bashkë me IKSHPK-në është shumë mirë që të shkoj në mënyrë institucionale dhe së bashku t’i formojnë ekipet të mos humbim kohë. Kosovës i hiqet një barrë prej kontingjentit dhe do t’i lëshohej rruga popullatës”, është shprehur Syla.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se është në kontakt me autoritetet në Shqipëri dhe se vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë do të vazhdojë, sapo të përcaktohen të gjitha detajet e tjera.
“MSh është në kontakt me autoritetet e Shqipërisë dhe do ta mirëpresë vaksinimin e një numri te konsideruar të punonjësve shëndetësorë në Shqipëri, sapo të jenë dakorduar të gjitha detajet e nevojshme rreth aranzhimeve të nevojshme”, ka njoftuar MSH-ja.
Një ditë më parë, ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ftoi rreth 11 mijë punonjës shëndetësorë të Kosovës për t’u vaksinuar në Shqipëri./KOHA.NET/