Akrofobia është frika nga lartësitë dhe vendet e larta, edhe në momentin kur ekzistojnë masa sigurie (për shembull parmak). Kjo frikë nuk është e njëjtë me aerofobinë (frikën nga fluturimet). Gjithashtu akrofobia ngatërrohet shpesh me vertigo.
Kjo e fundit ka të bëjë me një gjendje të caktuar fizike, që shkakton marrje mendsh dhe çorientim kur shikon poshtë nga një lartësi e madhe. Ndërsa akrofobia, tek ata që vuajnë nga frika e lartësisë, zhvillon një krizë tipike ankthi. Këta persona kanë tendencë t’u shmangen situatave që mund t’i bëjnë të provojnë ndjenja të tilla (pra marrje mendsh, çorientim, etj).
Simptomat
Emocionalisht dhe fizikisht, përgjigja ndaj akrofobisë është e ngjashme me përgjigjen ndaj fobive tjera.
Simptomat që mund të përjetoni me akrofobinë:
Simptomat emocionale: Mund të ndjeni një ndjenjë paniku kur e kuptoni se jeni lart nga toka. Instinktivisht mund të filloni të kërkoni diçka për tu kapur. Reaksionet e zakonshme përfshijnë zbritjen e menjëherëshme, zvarritje në të katër këmbët, gjunjëzimi ose ndryshe ulja e trupit tuaj.
Simptomat fizike: Ju mund të filloni të dridheni, të djersiteni, të përjetoni rrahje të shpejta të zemrës, madje edhe të qani ose të bërtisni. Mund të ndiheni të tmerruar dhe të paralizuar.
Ankthi dhe shmangia: Nëse keni akrofobi, është e mundshme që të filloni të kaloni nëpër situata të tmerrshme gjatë kohës që kaloni në vende të larta. Për shembull, mund të shqetësoheni që gjatë një pushimi të ardhshëm do t’ju bie të qëndroni në kate të larta të hotelit.
Rreziqet
Rreziku më i madh që shumica e fobive sjellin është rreziku i kufizimit të jetës dhe aktiviteteve jetësore. Situata mund të jetë e sigurt për sa kohë që merren masa paraprake normale, por paniku mund t’ju bëjë të bëni lëvizje të pasigurta. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që akrofobia juaj të trajtohet në mënyrë profesionale sa më shpejt që është e mundur, veçanërisht nëse lartësitë janë pjesë e rregullt e jetës suaj.
Në qoftë se ju përjetoni shenjat e akrofobisë, është shumë e rëndësishme që të kërkoni ndihmë profesionale sa më parë që të jetë e mundur./Familja Jonë