Mar, Pri 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Paraliza faciale e BELL-it – Si mund të përmirësohet?

Imagjinoni të shiheni para pasqyrës dhe të vini re se njëra anë e fytyrës duket lehtësisht e anuar krahasuar me anën tjetër. Pastaj mëngjesin tjetër, ju kuptoni që nuk mund të lëvizni njërën anë të fytyrës.

Paraliza faciale e quajtur paraliza e Bell-it, prek mijëra persona cdo vit. Lajmi i mirë është se në përgjithësi, nuk është e përhershme, por sidoqoftë është një eksperiencë traumatike.

Paraliza ndodh për shkak të dëmtimit ose inflamacionit të nervit i cili kontrollon funksionet e muskujve  të fytyrës.

Mendohet që inflamacioni i nervit ndodh për shkak të një infeksioni viral, si virusi Herpes Simplex ose virusi i Varicella Zoster që shkakton variçelën.

Shpesh ndodh që paraliza e Bell-it të ngatërrohet me goditjet në tru. Por pavarësisht se në pamje mund të duken të ngjashme, ato nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe mjekohen në forma të ndryshme.

Nga ndryshon paraliza e Bell-it nga ishemia cerebrale?

Ishemia cerebrale ndodh në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që paraliza e Bell-it zhvillohet për disa orë ose ditë.

Nëse kemi të bëjmë me një ishemi cerebrale, paraliza është më e dukshme në pjesën e poshtme të fytyrës. Në paralizën e Bell-it, paraliza prek si pjesën e sipërme, ashtu dhe pjesën e poshtme të fytyrës, duke shkaktuar vështirësi ose pamundësi në mbylljen e syrit ose lëvizjen e vetullës.

Simptoma të tjera shoqëruese të paralizës së Bell-it janë:

  • – Dhimbje koke ose dhimbje pas veshit
  • – Humbje të shijes në anën e prekur të fytyrës
  • – Ndjeshmëri ndaj tingujve në vesh
  • – Lotim të syrit të anës së prekur të fytyrës.

Si dhe kur trajtohet paraliza e Bell-it?

Trajtimi duhet të filloj brenda 3 ditësh. Pas diagnostikimit, mjeku mund të përshkruaj kortikosteroidë oralë si prednizoloni për të eliminuar edemën përreth nervit. Medikamente të tjera që mund të përshkruhen janë barna antivirale, etj. E rëndësishme është që trajtimi të fillojë brenda 72 orëve.


Sa kohë i duhet një personi me paralizë të Bell-it të rifitojë funksionin e muskujve të fytyrës?

Çdo kush i përjeton simptomat ndryshe, por në përgjithësi brenda tre javëve shihen përmirësimet e para. Megjithatë, për persona të tjerë, rikuperimi mund të zgjasë edhe disa muaj.

Është e rëndësishme të mbrohet syri i anës së prekur, për shkak se është vazhdimisht i ekspozuar. Gjatë gjumit, është e rëndësishme që syri të jetë i mbuluar, në mënyrë që të shmangen dëmtime të mundshme fizike.

Përtej trajtimit medikamentoz, nuk ëshë e nevojshme të aplikohen trajtime të tjera shtesë, megjithatë shumë njerëz kryejnë trajtime të tjera me shpresën e përshpejtimit të procesit të rikuperimit. Këto trajtime mund të jenë:

  • – Ushtrime faciale
  • – Stimulim elektrik
  • – Akupunkturë
  • – Masazhe

Aktualisht, nuk ka studime klinike të mirëfillta të mbështesin efektin e këtyre trajtimeve në përshpejtimin e rikuperimit.

Duke ndjekur rekomandimet e mjekut dhe duke i qëndruar rigoroz trajtimit, shumica e personave me paralizë të Bell-it i rikthehen shpejt aktiviteteve të tyre të përditshme. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë