Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Arsim Berisha, bashkë me këshilltarin politik të Ministrit Latifi, dr. Anton Shllaku qëndruan sot në Komunën e Hanit të Elezit për të trajtuar çështjen e dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga uji i pijes në disa fshatra të kësaj komune.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, “Zëvendësministri Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë.”.
“MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.”
Tutje në njoftim thuhet se ekipet e IKSHPK-së, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.
“Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë.”, thuhet në njoftim.













