Hulumtimet e reja sugjerojnë se suplementet e yndyrës së pangopur mund të kenë një përfitim shtesë: ato mund të ulin rrezikun e astmës në fëmijëri.
Acidet yndyrore omega-3 janë një nga dy klasat kryesore të yndyrave të pangopura. Ato mund të gjenden në ushqime të caktuara si farat e lirit dhe peshku, si dhe në suplementet dietike si vaji i peshkut.
Deri më tani, hulumtimet kanë treguar se acidet yndyrore omega-3 – kur konsumohen direkt nga ushqimi – kanë një sërë përfitimesh shëndetësore.
Një konsum i moderuar i ushqimeve të detit është treguar se zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe gjithashtu është shoqëruar me një rrezik të reduktuar të rënies njohëse, sëmundjes Alzheimer dhe demencës.
Një konsum javor, ushqim deti nga gratë shtatzëna duket gjithashtu se përmirëson rezultatet shëndetësore tek fëmijët e tyre.
Një studim i ri – i kryer nga qendra kërkimore e Kopenhagës për astmën në fëmijëri (COPSAC) në Danimarkë, në bashkëpunim me Universitetin e Waterloo, Kanada – sugjeron një përfitim shtesë shëndetësor: reduktimin e rrezikut të astmës në fëmijëri.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vlerësojnë se 6.3 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara nën moshën 18 vjeç – ose 8.6 përqind e të gjithë fëmijëve në SHBA – aktualisht kanë astmë.
Siç vë në dukje raporti i CDC, prevalenca e astmës është rritur në SHBA gjatë dekadës së fundit dhe sëmundja është aktualisht në nivelin e saj më të lartë.
Autorët e studimit të ri supozuan një lidhje midis rritjes së numrit të fëmijëve të prekur nga astma në vendet perëndimore dhe niveleve të ulëta të omega-3 anti-inflamatore në dietën e tyre.
Prandaj, studiuesit ekzaminuan efektin e suplementeve omega-3 tek gratë shtatzëna në rrezikun e frymëmarrjes dhe astmës tek pasardhësit e tyre.
Hulumtimi u drejtua nga prof. Ken Stark dhe së bashku me ekipin u zgjodhën dhe 736 gra shtatzëna që ishin 24 javë në periudhën e shtatzënisë.
Ata administruan në mënyrë të rastësishme një dozë ditore prej 2.4 gramë acide yndyrore të pangopura me zinxhir të gjatë n-3 (LCPUFA)* në formën e vajit të peshkut. Grupi i kontrollit mori një dozë ditore vaj ulliri si placebo.
*LCPUFA-të përfshinin acidin eicosapentaenoic (EPA) dhe acidin docosahexaenoic (DHA).
Studiuesit përdorën teknika të shpejta analitike për të matur nivelet e EPA dhe DHA në gjakun e grave shtatzëna. Prof. Stark, i cili udhëhoqi procedurat e testimit, shpjegon përfitimet e përdorimit të një metode të tillë.
“Matja e niveleve të acideve yndyrore omega-3 në gjak ofron një vlerësim të saktë të statusit të lëndëve ushqyese. Laboratorët tanë janë të pajisur në mënyrë unike për të matur acidet yndyrore shpejt, jashtëzakonisht saktë dhe në një mënyrë me kosto efektive.”
Gjatë periudhës 5-vjeçare të përcjelljes së nënave së bashku me fëmijët e tyre, studiuesit monitoruan shëndetin e fëmijëve për astmë dhe frymëmarrje të vazhdueshme, si dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, komplikime të astmës, ekzemë dhe ndjeshmëri ndaj alergeneve.
Omega-3 ul rrezikun e astmës në fëmijëri me 31 për qind.
Rezultatet e studimit duket se konfirmojnë hipotezën e autorëve.
“Ne kemi dyshuar prej kohësh se ekziston një lidhje midis vetive anti-inflamatore të yndyrave omega-3 me zinxhir të gjatë, marrjes së ulët të omega-3 në dietat perëndimore dhe shkallës në rritje të astmës në fëmijëri. Ky studim dëshmon se ato janë të lidhura përfundimisht dhe në mënyrë domethënëse.”
Rezultatet u publikuan në New England Journal of Medicine.