Albina Selmanaj
Noduset e gjëndrës tiroide janë nyje (gungëza) solide ose të lëngshme që formohen brenda gjëndrës tiroide.
Nyjet e tiroides zbulohen në rreth 6 për qind të grave dhe 1-2 për qind të burrave; ato ndodhin 10 herë më shpesh tek individët e moshuar, por zakonisht nuk diagnostikohen.
Në një intervistë për Familjajonë, endokrinologia Venera Berisha Muharremi, tha se pjesa më e madhe e noduseve tiroide nuk janë serioze dhe nuk shkaktojnë simptoma. Sipas, saj, shpesh pacientët as nuk do të dinë që kanë një nodus në tiroide derisa doktori të zbulojë gjatë një ekzaminimi rutinë mjekësor, ndonjë ekzaminimi ultasonografik të qafës për arsye të tjera apo gjatë ekzaminimeve imazherike si me CT apo rezonancë magnetike po ashtu për arsye tjera.
Tutje Muharremi, tregoi edhe për shkaktarët e këtij komplikimi ndër të cilët ishte edhe kanceri i gjëndrës tiroide, por që sipas endokrinologës shanset janë të vogla që një nodus të jetë malinj vetëm nëse pacienti ka histori familjare të kancerit të gjëndrës tiroide ose kancereve të tjerë endokrin atherë rreziku është më i madh.
Intervistën e plotë me endokrinologen,Venera Berisha-Muharremi i mund ta gjeni më poshtë :
Cilat janë simptomat e noduseve në gjëndrën tiroide?
Shumica e noduseve në gjëndrën tiroide nuk shkaktojnë shenja ose simptoma. Herë pas here, disa noduse bëhen aq të mëdha sa që mund:
• Të ndihet
• Të shihet, shpesh si një ënjtje në bazën e qafës
• Shkaktojë presion në rrugë të frymëmarrjës (trake) apo ushqimit (ezofag) duke shkaktuar frymëzënje ose vështirësi në gëlltitje.
Në disa raste, noduset e tiroides prodhojnë tiroksinë shtesë, një hormon i sekretuar nga gjëndra tiroide. Tiroksina ekstra e prodhuar mund të shkaktojë simptoma të hipertiroidizmit si:
• Humbje e pashpjegueshme e peshës
• Djersitje e shtuar
• Dridhje e duarve
• Nervozë
• Rrahje të shpejtë ose të parregullt të zemrës
Disa noduse tiroide janë kanceroze (malinje), por përcaktimi i noduseve që janë malinje nuk mund të bëhet vetëm nga simptomat. Shumica e noduseve kanceroze kanë rritje të ngadaltë dhe mund të jenë të vogla kur zbulohen. Format agresive të kancerit të tiroides janë të rralla, por këto noduse mund të jenë edhe të mëdha, të forta, të fiksuara dhe të shpejta në rritje.
Megjithëse shumica e noduseve të tiroides janë jo-kanceroze (beninje) dhe nuk shkaktojnë probleme, duhet konsultuar Endokrinologu për të vlerësuar ndonjë ënjtje të pazakontë në qafë, veçanërisht nëse keni probleme me frymëmarrjen ose gëlltitjen. Është e rëndësishme të vlerësohet mundësia e kancerit. Gjithashtu duhet kërkuar kujdes mjekësor nga Endokrinologu nëse zhvillohen shenja dhe simptoma të hipertiroidismit, të tilla si:
• Humbja e papritur e peshës edhe pse oreksi juaj është normal ose është rritur
• Zemëra që rrah shpejtë
• Probleme gjumi
• Dobësi muskulore
• nervozë e paspjegueshme
Çfarë e shkakton zhvillimin e noduseve në gjëndrën tiroide?
Disa kushte mund të shkaktojnë zhvillimin e noduseve në gjëndrën tiroide:
• Mungesa e jodit. Mungesa e jodit në dietë ndonjëherë mund të shtyej gjëndrën tiroide për të zhvilluar noduse. Por mungesa e jodit duhet të jetë e pazakontë tek ne tani, ku jodi i shtohet rregullisht kripës së tryezës që përdorim dhe kjo u shtohet ushqimeve të tjera.
• Rritje e jashtëzakonshme e indeve normale të tiroides. Pse kjo ndodh nuk është e qartë, por një rritje e tillë nganjëherë quhet si adenomë e gjëndrës tiroide, është jokanceroze dhe nuk konsiderohet serioze nëse nuk shkakton simptoma të bezdisshme nga madhësia e saj. Disa adenoma të gjëndrës tiroide (noduset autonome ose noduset hiperfunkcionale të gjëndrës tiroide) prodhojnë hormone tiroide jashtë ndikimit rregullator normal të gjëndrrës së hipofizës, duke çuar në një mbiprodhim të hormoneve tiroide (hipertiroidism).
• Kistat (cistat) e gjëndrës tiroide janë kavitetet e mbushura me fluid (lëng) në tiroide që më së shpeshti rezultojnë nga adenoma të degjeneruar të tiroideve. Shpesh, përbërësit e ngurtë (indi solid) janë të përzier me lëngje në brendi të cistës tiroide. Cistat zakonisht janë beninje dhe jo të rrezikshme, por ndonjëherë mund të përmbajnë komponente solide malinje brenda.
•Inflamacioni kronik i gjëndrës tiroide (tiroiditi kronik) si Sëmundja e Hashimotos, një çrregullim mjaft I shpeshtë i gjëndrës tiroide, që shpesh shoqërohet me uljen e aktivitetit të gjëndrës tiroide (hipotiroidizëm), është gjendje që rrit rrezikun për shfaqje të noduseve dhe për këtë arsye rekomandohet përcjellja edhe ultrasonografike e structures në kontrolla te Endokrinologu.
• Struma multinodulare. “Struma” apo siç e quan populli ,,Gusha” është një term që përdoret për të përshkruar çfarëdo zgjerimi të gjëndrës tiroide, e cila mund të shkaktohet nga mungesa e jodit ose nga ndonjë çrregullim i gjëndrës tiroide. Struma multinodulare përmban noduse të shumta të dallueshme brenda gjëndrës tiroide, por shkaku i shfaqjës është i paqartë.
• Kanceri (malinjiteti) i gjëndrës tiroide. Megjithëse shanset që një nodus të jetë malinj janë të vogla, disa faktorë rrisin rrezikun e kancerit të tiroides, siç është historia familjare e kancerit të gjëndrës tiroide ose kancereve të tjerë endokrin. Faktorë të tjerë të rrezikut përfshijnë të qenit më i ri se 30 vjeç ose më i vjetër se 60 vjeç, gjinia mashkull ose duke pasur një histori të ekspozimit ndaj rrezatimit, veçanërisht në kokë dhe qafë.
Cilat komplikime lidhen me noduset tiroide?
Komplikimet që lidhen me noduset tiroide përfshijnë:
• Probleme të gëlltitjes ose të frymëmarrjes. Noduset e mëdha ose struma multinodulare, mund të ndikojë në gëlltitje ose frymëmarrje.
• Hipertiroidizmi. Problemet mund të ndodhin kur një nodus ose strumë prodhon hormon të tiroides, duke çuar në hipertiroidizm. Hipertiroidizmi mund të rezultojë në humbje peshe, dobësi të muskujve, intolerancë ndaj nxehtësisë dhe ankth ose nervozizëm. Komplikimet e mundshme të hipertiroidizmit përfshijnë rrahje zemre të parregullta (fibrilim atrial); kockat e dobëta (osteoporoza); dhe krizën tirotoksike, një intensifikim i papritur I shenjave dhe simptomeve të hipertiroidizmit, potencialisht kërcënues për jetën që kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor nga Endokrinologu.
• Problemet që lidhen me kancerin (malinjitetin) e gjëndrës tiroide. Nëse një nodus I gjëndrës tiroide është kanceroz, zakonisht kërkohet trajtimi kirurgjik. Në përgjithësi, gjithë gjëndra tiroide ose pjesa më e madhe e saj largohet, pas së cilës pacientit do t’i duhet të merr terapi zëvendësuese të hormoneve tiroide për pjesën tjetër të jetës.
Si diagnostikohet ky problem?
Pas konstatimit të pranisë së nodusit në gjëndrën tiroide, një nga qëllimet kryesore të Endokrinologut është të përjashtojë mundësinë e kancerit. Por duhet gjithashtu të dihet se gjëndra tiroide e pacientit a funksionon siç duhet. Testet përfshijnë:
• Ekzaminimin fizikal të pacientit. Zakonisht do të kërkohet nga pacienti të përbihet gjersa Endokrinologu kontrollon me duar pjesën e përparme të qafës. Endokrinologu poashtu do të kërkojë shenja dhe simptoma të hipertiroidizmit, të tilla si dridhje, rrahje zemre të shpejtë ose të parregullt, reflekset më aktive; apo edhe shenja dhe simptoma të hipotiroidizmit, të tilla si rrahje zemre të ngadaltë, lëkurë të thatë dhe ënjtje të fytyrës.
• Testet e funksionit të gjëndrës tiroide. Testet që matin nivelet e lira të tiroksinës dhe triiodotironinës në gjak (FT4 dhe FT3), hormonet e prodhuara nga gjëndra tiroide dhe testi që mat nivelin e hormonit tiroid stimulues (TSH), që lirohet nga gjëndra e hipofizës, mund të tregojë nëse gjëndra tiroide po prodhon shumë tiroksinë (hipertiroidizm) ose më pak (hiipotroidizm).
• Ultrasonografia. Kjo teknikë imazherike përdor valë zanore me frekuencë të lartë dhe jo rrezatuese për të prodhuar imazhe. Jep informacionin më të mirë për formën dhe strukturën e noduseve. Mund të përdoret për të dalluar cistat nga noduset solide ose për të përcaktuar nëse janë të pranishëm shumë noduse. Madhësinë e noduseve dhe karakteristikat ultrasonografike tjera të tyre. Ajo mund gjithashtu të përdoret si një udhëzues në kryerjen e biopsisë aspiruese me gjilpërë të hollë.
• Biopsia aspiruese me gjilpërë të hollë (FNAB -Fine needle aspiration biopsy). Shpeshherë nevoitet marrja e biopsies nga noduset për tu siguruar që kanceri nuk është i pranishëm. FNAB ndihmon në dallimin midis noduseve beninje dhe malinje të tiroides. Gjatë procedurës, mjeku fut një gjilpërë shumë të hollë në nodus dhe terheq permes shiringës një mostër të qelizave. Procedura kryhet për rreth 20 minuta dhe ka shumë pak rreziqe. Zakonisht, dhe është e rekomanduar, që mjeku gjatë kryerjes së kësaj procedure të përdorë ultrasonografinë për t’u ndihmuar në drejtimin e vendosjes së gjilpërës. Mostrat pastaj dërgohen në laborator dhe analizohen me mikroskop.
• Scintigrafia e gjëndrës tiroide. Endokrinologu mund të rekomandojë një skanim të gjëndrës tiroide për të ndihmuar në vlerësimin e noduseve të tiroides. Gjatë këtij testi, një izotop i jodit radioaktiv injektohet në një venë në krahun e pacientit. Pastaj një aparat i veçantë skanimi prodhon imazhin e gjëndrës tiroide në një ekran kompjuteri. Noduset që prodhojnë hormon të tepërt të tiroides – të quajtura noduse të nxehta – shfaqen në skanim sepse ato marrin më shumë izotopë sesa indet normale të tiroides. Noduset e ftohta janë ato që nuk funksionojnë sikurse indet normale dhe shfaqen si defekte ose vrima në skanim. Noduset e nxehtë janë pothuajse gjithmonë jokanceroze, por disa noduse të ftohtë janë kanceroze. Disavantazhi i skanimit të gjëndrës tiroide është se nuk mund të bëjë dallim midis noduseve të ftohta beninje dhe malinje.
Si trajtohen dhe mjekohen noduset në gjëndrën tiroide?
Mjekimi varet nga lloji i nodusit në gjëndrën tiroide.
Trajtimi i noduseve beninje
Nëse nodusi në gjëndrën tiroide nuk është kanceroz, ka disa mundësi trajtimi:
• Përcjelljen vigjilente. Nëse biopsia-FNAB tregon që nodusi është beninj, Endokrinologu mund të sugjerojë thjesht të përcillet nodusi dhe funksioni i gjëndrës tiroide. Kjo zakonisht do të thotë të bëhet ekzaminimi fizik, teste të funksionit të gjëndrës tiroide dhe ultrazëri në intervale të rregullta. Gjithashtu gjatë përcjelljës mund të rekomandojë një tjetër biopsi nëse nodusi rritet më i madh. Nëse nodusi beninj mbetet i pandryshuar, nuk do të ketë nevojë për trajtim.
• Terapia suprimuese me hormone të gjëndrës tiroide. Kjo përfshin trajtimin e një nodusi beninj me levotiroksin (Letrox, Euthyrox), një formë sintetike e tiroksinës që merret në formë tablete. Ideja është që furnizimi me hormon të gjëndrës tiroide shtesë do të sinjalizojë hipofizën për të prodhuar më pak TSH, hormon që stimulon rritjen e indeve tiroide. Megjithëse kjo tingëllon mirë në teori, terapia me levotiroksin në këto raste është çështje e debatit. Nuk ka dëshmi të qarta për efektet përfituese të këtij trajtimi tek noduset beninje.
• Trajtimi kirurgjik. Ndonjëherë, një nodus që është në mënyrë të qartë beninj mund të kërkojë operacion, veçanërisht nëse është aq i madh saqë e bën të vështirë frymëmarrjen ose gëlltitjen. Kirurgjia konsiderohet gjithashtu për njerëzit me strumë multinodoze ( me shumë noduse) të mëdha, veçanërisht kur gusha ngushton rrugët e frymëmarrjes, ezofagun ose enët e gjakut. Noduset e diagnostikuara si të papërcaktuara ose të dyshimta nga biopsia gjithashtu kanë nevojë për heqjen kirurgjikale, kështu që ato mund të ekzaminohen për shenja të kancerit.
• Trajtimi i noduseve që shkaktojnë hyperthyroidism. Nëse nodusi I gjëndrës tiroide prodhon hormone tiroide, duke tejkaluar nivelet normale të hormoneve të tiroides në organizëm, Endokrinologu mund të rekomandojë trajtimin për hyperthyroidism. Kjo mund të përfshijë:
• Jodin radioaktiv. Përdoret jodi radioaktiv për trajtimin e adenomave hyperfunkcionale ose strumës multinodulare. I marrë si një kapsulë ose në formë të lëngshme, jodi radioaktiv absorbohet nga gjëndra tiroide. Kjo shkakton që nyjet të tkurren dhe shenjat dhe simptomat e hipertiroidizmit të zhduken, zakonisht brenda dy deri tre muaj.
• Barnat anti-tiroide. Në disa raste, Endokrinologu mund të rekomandojë mjekimin me barna anti-tiroide të tilla si methimazole për të zvogëluar simptomat e hipertiroidizmit. Trajtimi në përgjithësi është afatgjatë dhe mund të ketë efekte anësore serioze në mëlçi, prandaj është e rëndësishme të diskutohet me mjekun për rreziqet dhe përfitimet e trajtimit me barna anti-tiroide.
• Trajtimi kirurgjik. Nëse trajtimi me jod radioaktive ose medikamente anti-tiroide nuk është opsion, diskutohet opcioni për kirurgji për të hequr nodusin hiperaktiv. Kirurgjia gjithashtu mbart disa rreziqe që duhet të diskutohen në detaje me mjekun.
Trajtimi i noduseve kanceroze
Trajtimi i nodusit që është kanceroz zakonisht përfshin trajtimin kirurgjik.
• Operimi. Trajtimi i zakonshëm për noduset malinje është heqja kirurgjikale, shpesh së bashku me tërë gjëndrën tiroide – një procedurë e quajtur tiroidektomia totale apo afërsisht totale. Rreziqet e trajtimit kirurgjik të gjëndrës tiroide përfshijnë rrezikun e dëmtimit të nervit që kontrollon kordat vokale (nervin e laringut) si dhe rreziku I dëmtimit të gjëndrave paratiroide – katër gjëndra të vogla të vendosura në anën e pasme të gjëndrës tiroide që ndihmojnë në kontrollin e nivelit të kalciumit në gjak. Pas tiroidektomisë, do të duhet trajtim gjatë gjithë jetës me levotiroksin për të furnizuar trupin me sasi normale të hormoneve tiroide.
• Ablacioni me alkool. Një tjetër mundësi për menaxhimin e disa noduseve të vogla kanceroze është ablacioni me alkool. Kjo teknikë përfshin injektimin e një sasie të vogël të alkoolit në nodus kanceroz. Ky trajtim është i dobishëm për trajtimin e noduseve që zhvillohen në pjesët që nuk arrin të ketë mjeku akces gjatë operacionit. Shpesh kërkohen sesione të shumëfishta të trajtimit.
Si përfundim për trajtimin e noduseve kanceroza të gjëndrës tiroide nevoitet bashkëpunim nga specialist nga disa lëmi të punojnë së bashku për të siguruar kujdes cilësor dhe shërim të suksesshëm.