Ministria e Bujqësisë njoftoi sot se deri tani, në Shqipëri, kanë rezultuar të prekur nga gripi i shpendëve mbi 358 mijë shpendë.
Sipas zëvendësministres së Bujqësisë, Ermira Gjeci, sëmundja tashmë është përhapur në të gjithë Evropën, ku miliona shpendë kanë ngordhur si pasojë e saj.
Gjeci tha se vatrat e gripit të shpendëve në vendin tonë janë fshati Rrashbull në Durrës, në Dibër dhe në Prespën e Vogël në Korçë, ku gjatë ditëve të kaluara janë konstatuar pelikanë të ngordhur.
Zëvendësministrja tha edhe se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i kalimit të sëmundjes te njerëzit përmes konsumimit të nënprodukteve të shpendëve, si vezët apo mishi i pulave.
“Nuk ka asnjë rast që sëmundja kalohet nga konsumi i nënprodukteve të shpendëve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në terren. Aktualisht zonat në karantinë janë: Durrës me qendër Rashbull, Dibër në Rethkalë, një rast pozitiv në shpend oborri, Korçë në Prespë të Vogël, te pelikani kaçurrel. 358,520 shpendë kanë ngordhur, nga të cilat, dje janë groposur 39 mijë shpend. Sot jemi në proces vendimmarrje për masat e reja”, tha Gjeci në një komunikim me gazetarët.