Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se pas takimeve me përfaqësues të shoqatave të transportit rrugorë, janë dakorduar që të premten (18 mars) do ta shfuqizojnë vendimin për përgjysmimin e pagesës së biletave për disa kategori shoqërore.
“Siç e dini kohëve të fundit ka ndodhur një rritje e çmimeve të produkteve, rrjedhimisht edhe kompanitë e transportit rrugor janë detyruar qe të rrisin çmimet e biletave. Ne si ministri patëm marrë një vendim për të mbrojtur disa kategori shoqërore. Pas disa diskutimeve, bashkë me shoqatat kemi ardhur në përfundim qe edhe duke marrë parasysh qe edhe ka rënë çmimi i derivateve të naftës, kemi arritur në marrëveshje të përbashkët që çmimet për kategori shoqërore të jenë ashtu si para rritjes së çmimeve”, ka thënë ai.
Ai në konferencë për media ka njoftuar se edhe padia e shoqatës së Transportit Rrugor do të tërhiqet.
Kryetari i shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, është zotuar se nuk do të ketë rritje çmimesh.
“Zotohemi që nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave për udhëtim”, ka shtuar ai.
Më 11 mars, vetë zëvendësministri Durmishi kishte njoftuar për vendimin për përgjysmimin e çmimit të biletave të autobusëve ndërurban për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët./ KP