Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Mes tensionesh Komuna e Prishtinës shfuqizoi vendimin për Planin rregullues në “Kalabri”

Mes tensionesh e diskutimeve mes protestuesve dhe asamblistëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës sot është shfuqizuar vendimi i Planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Qytetarët e lagjes “Kabaria” me zë të lartë kanë kërkuar që kjo pikë të mos shfuqizohet. Të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe opozita, VV-ja, AKR-ja dhe AAK-ja, të cilët lëshuan sallën.

Fillimisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se aspekti i shfuqizimit është si rezultat i vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministri kjo sipas tij, ka shpallur të pavlefshëm Planin rregullues të miratuar nga qeverisja e kaluar.

Kryetari Rama premtoi se brenda periudhës gjashtëmujore do të fuqizojnë planin rregullues për “Kalabrinë”.

“Koeficienti nuk mundet me u rritë prej 1.8 deri në 2.4 pa u analizuar në mënyrë të mirëfilltë impaktin që e ka në hapësirat ku jetojmë, sepse mundet me pasur impakt negativ. Unë nuk jam kundër koeficientit 2.4… Mirëpo duhet të shfuqizohet ky vendim për arsye se është kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, pra nuk është e ligjshme, dhe dy si më e rëndësishme që ne duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë se çka tash i nevojitet kësaj zone për destinimin e funksioneve të tjera në ndërlidhshmëri me koeficientin 2.4”, theksoi Rama.

Gëzim Sveçla, shef i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes, tha se shfuqizimi i këtij vendimi është në dëm të qytetarëve të asaj lagjeje dhe të komunës së Prishtinës.

Për këtë arsye partitë opozitare, VV, AKR dhe AAK kanë lëshuar sallën për këtë pikë të rendit të ditës.

“Ne mendojmë se kjo çështje nuk ishte dashur të jetë as pikë e rendit të ditës. Banorët e lagjes ‘Kalabria’ në kuadër të këtij vendimi të Komunës kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale të rregullta ligjore që kanë afekte të shumta juridike dhe financiare. Nëse ne sot votojmë propozim-vendimin tuaj për shfuqizimin e këtij akti veçse rrezikojmë të bëjmë shkelje ligjore që mund të ketë konsekuenca juridike për Komunën si padi private e shumë çka tjetër, ne bllokojmë edhe zhvillimin e asaj lagjeje të kryeqytetit dhe rrugën A… Prandaj nga këtu iu bëj thirrje të gjitha grupeve të asamblistëve që mos ta votojnë, dhe në shenjë pakënaqësie ne do ta lëshojmë sallën si grup i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Asamblisti i PDK-së, Muhamet Selmani, derisa ka shprehur qëndrimin pro anulimit të këtij pani rregullues për “Kalabrinë”, është penguar të flas nga njëri prej protestuesve që ishin futur në mbledhjen e Kuvendit.

Selmani ka thënë po ashtu se protestuesit janë të nxitur nga dikush prej politikës, dhe ka kërkuar nga kryesuesi i kuvendit, Kupina, që t’i nxjerr jashtë qytetarët që ishin futur në sallë, ku po u diskutohej kjo pikë.

“Mos ma ndërprit fjalën, kryesues merr masa nxirre jashtë… Nuk ka logjikë që ministri i Vetëvendosjes, nxjerr vendim të kundërligjshëm, asamblistët e VV-së në Prishtinë, dalin kundër vendimit të tij, dhe dalin jashtë. Edhe ne mundemi më dalë jashtë, por ky vendim ka për të shkuar në gjykatë”, tha ai.

Astrit Tërrnava, banor i lagjes “Kalabria”, ka mohuar të jenë shtyrë nga ndonjë parti politike për të protestuar, por tha se po e kërkojnë të drejtën e tyre për pronën.

“Nuk dalë jashtë, nuk më ka nxitur asnjë parti, s’jam partiak, jam qytetar. Ne jemi për të drejtat tona për të shfrytëzuar tokën tonë”, theksoi ai.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fehmi Kupina, ka ndërhyrë në këtë rast dhe i paralajmëroi protestuesit se do ta ftoi policinë nëse e pengojnë punën e Kuvendit.

“I nderuar, jam i detyruar të thërras organet e rendit dhe t’ju xjerrë jashtë. Edhe një herë e merr fjalën, unë i thërras menjëherë”, theksoi Kupina.

Ndërkohë, i pari i Prishtinës Rama është përpjekur që t’i qetësojë dhe bind qytetarët që vendimi për Planin e lagjes “Kalabria” është ilegal dhe nuk ka asgjë personale për të.

Më tej, Rama iu premtoi banorëve se nuk do ta ndryshojnë koeficientin.

“I kuptoj shqetësimet, veç për t’ju treguar që jam konsultuar dje me ministrin (Elbert Krasniqi) për këtë çështje dhe kam pyetur se a qëndron se ky vendim është i jashtëligjshëm, ka thënë ‘po’. Kam pyetur se a mundemi ne ta rishqyrtojmë, ka thënë ‘jo, duhet të shfuqizohet”, dhe pastaj e fuqizojmë. Është proces legal, nuk është diçka personale, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveç të legalizohet procesi. Vendimi dhe kërkesën prej ministrisë e kemi. Dhe nuk kemi rrugë tjetër”, theksoi Rama.

Qytetarët duke bërtitur me zë të lartë, kanë kërkuar që kjo pikë të mos shfuqizohet. Qytetarët që kanë protestuar nga mëngjesi i ditës së sotme, fillimisht para Komunës, e pastaj, disa prej tyre edhe brenda mbledhjes, kanë bërë të ditur se do bëjnë edhe padi për ta ndaluar këtë shfuqizim.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe propozim-vendimin për anulimin e Vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2”, në kuadër të planit rregullues “Arberia 3”. /kp/

Youtube

Arkiva

Kategoritë