Cila është marrëdhënia midis tatuazheve dhe rreziqeve për shëndetin e lëkurës? Rregullorja e re që është prezantuar në BE synon përdorimin e disa ngjyrave dhe bojërave që sigurojnë mbrojtje më të madhe. Por çfarë rreziku ka për melanomën bërja e tatuazheve?
Së pari duhet treguar një kujdes shumë i madh me nishanet. Mbi një nishan sado i vogël të jetë ai nuk duhet të bëhet kurrë tatuazh. Dhe këshillohet që nga një nishan të lihet një distancë prej 1 cm nëse doni të bëni tatuazh.
Por çfarë ndodh nëse e kemi bërë tatuazhin dhe më vonë na del një nishan?
Specialistët në Romë kanë treguar rastin e një pacienti 38-vjeçar, të cilit ju shfaq melanoma në një zonë të lëkurës ku kishte bërë tatuazhe. Ata këshillojnë që kur të bëni tatuazh mos rrezikoni duke përdorur ngjyra shumë të errëta.
“Është e rëndësishme të bëni tatuazh të paktën një centimetër larg nishanit tashmë të pranishëm. Po aq e rëndësishme është edhe shmangia e tatuazheve të mëdha ose tepër të errëta, sepse një nishan ose melanomë që lind nga e para bëhet më i vështirë për t’u njohur dhe lokalizuar. Deri më sot nuk është vërtetuar një korrelacion mes tatuazheve dhe fillimit të melanomës, ndaj nuk mund të themi se tatuazhi është një faktor rreziku për melanomën”, është shprehur dermatologu i institutit shkencor në Romë, Francesco Ricci.
“Problemi është se na shqetëson në vendosjen e diagnozës, në fakt kur tatuazhi është shumë i errët kemi vështirësi të kuptojmë natyrën e nishanit që po vëzhgojmë. Gjithashtu mund të ndodhë që një nishan absolutisht i qetë në momentin kur është bërë tatuazh mund të shfaqet i ndryshuar për shkak të fenomeneve irrituese dhe inflamatore dhe të na bëjë të besojmë se mund të jetë i rrezikshëm. Kjo përkthehet në një ndërhyrje kirurgjikale që mund të ishte shmangur”, ka shtuar ai.
Rëndësia e vetëkontrollit të lëkurës
Në fund doktor Ricci tregon se “është problem edhe për vetëkontroll të lëkurës. Sugjerimi që u japim të gjithë pacientëve tanë është që të kontrollojnë veten periodikisht në mënyrë që të mund të raportojmë çdo nishan të dyshimtë, por mund të jetë e vështirë të vërehet fillimi i melanomave të dyshimta në zonat ku është bërë tatuazhi”.