Të martën është raportuar se vaksina anti-COVID “Pfizer” po shpërndahet vetëm te rastet që po marrin dozën e dytë të vaksinës, dhe për këtë disa qytetarë kanë refuzuar marrjen e vaksinës Astra Zeneca, duke mos u vaksinuar fare, transmeton Telegrafi.
Lidhur me këtë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Telegrafin, se në qendrat e vaksinimit janë duke u dhënë të dyja vaksinat, pasi sipas tyre ka doza të mjaftueshme.
Tutje, MSh ka kërkuar nga qytetarët që të mos hezitojnë marrjen e cilësdo prej vaksinave anti-Covid, pasi thekson se Kosova është një nga vendet e rralla në rajon që përdor vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave.
“Në Kosovë ka doza të mjaftueshme të dy llojeve të vaksinave kundër COVID-19. Janë duke u dhënë edhe njëra edhe vaksina tjetër. Ministria e Shëndetësisë kërkon që të mos stigmatizohet asnjëherë prej vaksinave, sepse Kosova është një nga vendet e rralla në rajon që përdor vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), prandaj inkurajohen qytetarët që të vaksinohen me cilëndo vaksinë kundër COVID-19, që ju ofrohet në qendrat e vaksinimit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 219.885 doza të vaksinës, kurse deri më sot 52.975 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ndërkaq, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 10 raste pozitive.
Sipas MSH-së, numri i rasteve aktive është 152.
Qytetarët mund të aplikojnë për të marrë vaksinën kundër COVID-19 duke klikuar KËTU.