Vizita e psikologut shpesh shoqërohet me stigmatizime nga më të ndryshmet, kësisoj, duke i pasur për bazë këto problem të shfaqura dendur në shoqëri, jo cdokush merr kurajën që të këshillohet me ekspertët e shëndetit mendor.
Gjatë emisionit “Takim virtual me Shëndritin”, ku ishte mysafire neuropsikologia klinike dhe specialistja e sëmundjeve pervazive, Mr. sci. Elma Miftari, u diskutua edhe për këtë cështje.
Sipas Miftarit vizita e psikologut është e nevojshme pothuajse gjithnjë, mirëpo janë disa raste më specifike kur këshillimi me një ekspert të shëndetit mendor duhet të jetë i domosdoshëm.
“Nëse ne vërejmë se kemi ndryshim të humorit shumë shpesh, qoftë brenda një dite apo një jave, pa ndonjë shkak specifik, atëherë është koha që ne të kërkojmë ndihmën e një psikologu. Nëse kemi ndjenjë dhimbjeje të vazhdueshme për të cilën nuk është gjetur një shkak fiziologjik, duhet të drejtohemi te psikologu. Nëse kemi humbje të oreksit dhe crregullim të orarit të gjumit pa ndonjë shkak organik ose të paidentifikueshëm, është koha që të kërkojmë ndihmën e psikologut. Nëse ndihemi të lodhur, kemi ndjenja dëshpërimi, vetëfajësie, kemi ndryshim të përgjithshëm të gjendjes emocionale, atëherë duhet të kërkojmë urgjentisht ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor”, theksoi ajo për “Familja Jonë”. /familjajone