Të premten mbrëma në emisionin “Takim virtual me Shëndritin” ishte i ftuar oftamologu, dr. Afrim Shabani, me të cilin u diskutua për sëmundjet e syve dhe përdorimin e laserit për trajtim.
Për më shumë se 50 minuta sa zgjati emisioni, nuk munguan as pyetjet nga publiku lidhur me temën. Njëra ndër pyetjet ishte edhe ajo se sa janë të rrezikshme cistat në sy dhe si trajtohen ato.
Sipas Shabanit, problemet me cistat në sy varen krejtësisht se në cilën pjesë janë të lokalizuara ato. Ai tregon se më së shpeshti këto cista hasen në kapakë të syrit ose në mbështjellësin e syrit që ndryshe njihet si konjuktiv.
“Varet se ku është e lokalizuar cista. Cistat shpesh janë të lokalizuara shpesh në kapakë të syve ose në mbështjellësin e syrit, që e e quajmë konjuktiv. Përndryshe, vetëm si cistë, nuk është asgjë e rrezikshme. Cistat vështirë mjekohen me anë të terapisë, por ne i bëjmë ato veprimet e vogla kirurgjike dhe ato largohen pa kurrfarë problemi. Nëse lokalizimi i cistës është në konjuktiv dhe fillon të rritet, atëherë aty duhet bërë një intervenim i vogël sepse ajo fillon ta pengojë pacientin. Cistat e tjerat që hasen në kapak të syrit më shumë janë problem estetik sesa funksional ose organic, kështu që vendimi për heqjen e tyre e bëjmë në konsultim me pacientin”, përfundoi ai.