Neurologu Blerim Myftiu, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, është shprehur se cdo i pesti i infektuar me koronavirus manifeston crregullime mendore brenda tre muajve.
Myftiu thekson se njerëzit që vuajnë nga diabeti, mbipesha dhe hipertensioni arterial janë më të prirur të kenë crregullime mendore, nëse janë të infektuar me koronavirus.

“ÇDO I PESTI ME COVID-19 ZHVILLON ÇRREGULLIM MENDOR
Sipas hulumtimit të fundit, del se çdo i pesti pacient i diagnostikuar me Covid-19 zhvillon brenda 3 muajsh një çrregullim mendor, më së shpeshti ankth dhe depresion. Po sipas këtyre rezultateve të ekipit hulumtues të Oksfordit, prania paraprake e një çrregullimi psikiatrik paraqet një faktor rreziku të pavarur për sëmundshmërinë nga Covid-19. Kësisoj, faktorëve tanimë të njohur organikë, siç janë obeziteti, diabeti apo hipertensioni arterial, profesorët e Oksfordit propozojnë që t’u shtohen edhe çrregullimet psikiatrike.
Me qëllim të nxjerrjes së përfundimeve, janë përfshirë në studim të dhënat e afro 70 milionë njerëzve në SHBA, në mesin e të cilëve 62 mijë kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19. Brenda 3 muajsh të përcjelljes, 5.8% e pacientëve zhvilluan një sëmundje psikiatrike, krahasuar me 2.5-3.4% të atyre pa Covid-19 që janë diagnostikuar me sëmundje psikiatrike.
Një raport i mëhershëm britanik kishte treguar se pacientët e moshuar me Covid-19 kishin dy apo tri herë rrezik të rritur për të vuajtur nga demenca”, ishte postimi i plotë i Blerim Myftiut në faqën e tij në Facebook.













