Në doza të vogla, stresi mund t’ju motivojë të përfundoni një detyrë të caktuar apo të arrini një qëllim, por kur stresi bëhet kronik, ju mund të filloni të përjetoni të gjitha llojet e efekteve anësore dhe simptomave, si rezultat.
Stresi mund të shkaktojë edhe ndryshime fizike në trurin tuaj:
1 – Mund të ndikojë në kujtesën tuaj
“Studimet kanë treguar se njerëzit me nivele më të larta të kortizolit (hormonit të stresit), kanë memorie më të dobët sesa personat në të njëjtën moshë, me më pak kortizol”, thotë psikoterapistja Ann Russo për Bustle.
Studimet kanë treguar gjithashtu se si ju e shihni dhe si e trajtoni stresin mund të ndryshojë ndikimin që ka në trurin tuaj. Është e rëndësishme të provoni ta shihni dhe ta rivlerësoni situatën në një dritë më pozitive.
Përpiquni të ridrejtoni mendimet tuaja, punoni në disa mënyra për të lehtësuar stresin, duke bërë ushtrime, duke medituar apo edhe duke ndjekur një terapist për të mësuar aftësi më pozitive të përballimit të problemeve.
2 – Mund të rrisë madhësinë e amigdalës tuaj
Amigdala është pjesë e trurit, që luan një rol kryesor në përpunimin e emocioneve. Nëse jeni nën sasi të mëdha stresi rregullisht, kjo mund të ndryshojë përfundimisht madhësinë e amigdalës së trurit tuaj, e cila mund të ndikojë në mënyrën sesi ndiheni.
“Stresi kronik mund të rrisë madhësinë e amigdalës, e cila mund ta bëjë trurin më pranues ndaj stresit, duke krijuar një tru që bëhet i predispozuar të jetë në një gjendje të vazhdueshme të “luftës ose ikjes”. Ju jeni të përgatitur për të kërkuar kërcënime, kështu që shihni kërcënime kudo që të shkoni, gjë që përforcon besimin e trurit tuaj se ai është vazhdimisht nën sulm”, thotë Dr. Maenpaa.
3 – Mund të përjetoni “Mbingarkesë allostatike”
“Kur mërzitja, stresi dhe shqetësimi janë kronikë dhe ekstremë, njerëzit lodhen dhe janë të prirur të heqin dorë”, thotë Dr. Paul Napper, “dhe kjo mund të çojë në një ndjenjë të djegies”.
“Neurobiologët përdorin termin “mbingarkesë allostatike” për të përshkruar këtë gjendje. Kur jeni nën presion gjatë gjithë kohës, trupi juaj nuk mund të bëjë rregullime për t’ju ndihmuar, siç do të bënte zakonisht.
4 – Mund të ndiheni të dëshpëruar dhe në ankth
Niveli i lartë i kortizolit në gjak për një kohë të gjatë, mund të dëmtojë trurin dhe pjesë të tjera të trupit, duke ju bërë më të prekshëm nga sëmundjet e tjera.
Shkencëtarët ende po mësojnë për stresin kronik dhe të gjitha mënyrat se si mund të ndikojë në shëndet, por deri tani dihet që ai mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, ankthin dhe depresionin.
5 – Truri juaj mund të tkurret
“Nivele të larta të kortizolit që mund të grumbullohen me stresin kronik mund të dëmtojnë aftësinë e trurit për të funksionuar normalisht,” thotë Diane Amstutz, psikologe.
Kjo mund ta ndryshojë trurin tuaj në një mënyrë tronditëse.
“Mund të vrasë qelizat e trurit dhe madje të zvogëlojë madhësinë e tij.”
Stresi kronik mund të zvogëlojë gjithashtu korteksin para-frontal, pjesën e trurit që lidhet me vetëkontrollin dhe rregullimin emocional.
6 – Ju mund të ndiheni më pak social
Stresi mund të ndikojë në trurin tuaj në një mënyrë që ju bën të ndiheni më pak social.
Përsëri, e gjitha është për shkak të kortizolit të tepërt.
Dr. Michael Genovese, një psikiatër klinik, thotë për Bustle:
“Stresi kronik mund të prishë funksionin e një sinapsi (vendi ku qelizat e trurit komunikojnë me njëra-tjetrën).
Një studim i vitit 2014, i botuar në Nature Communications zbuloi se stresi kronik mund të “shkëpusë” sinapset në tru, gjë që ndikon për të na bërë më pak social dhe më të izoluar. Nëse kohët e fundit po ndiheni më introvert se zakonisht, shkaku mund të jetë stresi.
7 – Mund të zvogëlojë neuronet tuaja
“Stresi, veçanërisht stresi kronik ditor siç është një punë stresuese ose një sëmundje kronike, mund të çojë në ndryshime strukturore në tru që lejojnë mbijetesën dhe mbrojtjen e tij”, shprehet Dr. Margherita Mascolo.
Studiuesit e kanë parë këtë në modelet e kafshëve, të cilat kanë treguar se stresi “shkakton një zvogëlim të neuroneve”. Neuronet janë qelizat nervore që transmetojnë informacionin.
Ndryshime të tilla mund të çojnë në një ulje të aftësisë suaj për të marrë vendime, për të risjellë ndër mend kujtime ose për të rregulluar emocionet tuaja.
Stresuesit e vegjël ditorë nuk janë për t’u shqetësuar, pasi ato janë një pjesë tipike e jetës që nuk mund të shmangen, por bëni kujdes për shenjat e stresit kronik, si ankthi, harresa apo izolimi, pasi të gjitha mund të kenë një ndikim të madh në trurin tuaj, si dhe në mirëqenien tuaj të përgjithshme./Familjajonë/