Vitaminë esenciale
B12 (e njohur gjithashtu si kobalamina) është esenciale për ruajtjen e shëndetit të trurit dhe nervave, për prodhimin e ADN-së dhe rruazave të kuqe të gjakut. Vitamina B12 gjithashtu, ndihmon në uljen e nivelit të homocisteinës, një aminoacid i lidhur me demencën (në nivele të larta), sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe osteoporozën.
Normalisht, ne e marrim vitaminën B12 me anë të dietës. Burime të pasura të vitaminës B12 janë mishi i vicit, mëlcia, molusqet, mishi i pulës, peshku, drithërat e fortifikuara, vezët, djathi, qumështi, qumështi i sojës ose i bajames.
Acidi i stomakut ndihmon në tretjen dhe përthithjen e vitaminës B12. Vitamina më pas lidhet me proteina të cilat prodhohen nga qeliza të stomakut dhe kalojnë për në zorrë, ku përthithet dhe çlirohet në gjak.
Mungesa e vitaminës B12
Rreth 3,2% e të rriturve mbi 50 vjeç kanë mungesë të vitaminës B12 dhe rreth 20% e tyre janë në kufij të mungesës së vitaminës B12. Shpesh, shkaku është mosha, ne prodhojmë më pak acid në stomak me kalimin e moshës. Kjo e bën më të vështirë ekstraktimin e vitaminës B12 nga ushqimet.
Shkaqe të tjera të mungesës së vitaminës B12 janë:
- Marrja e barnave që ulin aciditetin e stomakut
- Dieta të cilat nuk përfshijnë produkte shtazore
- Kirurgji për humbjen në peshë
- Sëmundje autoimune që sulmojnë stomakun ose traktin gastrointestinal
Si mund të kuptojmë nëse kemi nivel të ulët të vitaminës B12?
Shenjat e para të mungesës së vitaminës B12 mund të jenë prezente por janë aq të lehta sa shpesh nuk vihen re. Një ndër to psh. është dobësia muskulare, që shpesh ka edhe shume shkaqe të tjera.
Simptomat e mungesës së vitaminës B12 përfshijnë:
- Probleme të ekuilibrit
- Depresion
- Lodhje e tejskajshme dhe dobësi muskulare
- Humbje të kujtesës ose konfuzion
- Mpirje ose pickime në duar dhe këmbë (për shkak të dëmtimit të nervave)
- Anemi
Duhet të bëni një kontroll?
Analiza e vitaminës B12 në gjak nuk është një analizë rutinë, por mund të jetë një ide e mirë për personat e moshuar, duke filluar nga mosha 65 vjeç. Pas një kontrolli rutinë, nëse niveli i vitaminës B12 është në normë, mund të rikontrollohet pas 3 vitesh.
Analizat e gjakut shërbejnë për të kontrolluar për anemi, nivelin e vitaminës B12 dhe nivelin e homocisteinës dhe acidit metilmalonik (MMA), ky i fundit është një indikator shumë i mirë i mungesës së vitaminës B12.
Si trajtohet mungesa e vitaminës B12?
Trajtimi i mungesës së vitaminës B12 nis me ngrënien e ushqimeve të pasura me vitaminë B12, shmangien e barnave që ulin aciditetin e stomakut dhe vazhdojnë me marrjen e suplementeve të vitaminës B12.
Në disa raste, shkaku i mungesës së vitaminës B12 është mungesa e faktorit intrinsik, çka e vështirëson shumë përthithjen e vitaminës B12. Në këto raste, suplementet e vitaminës B12 duhet të merren ne formën e injeksioneve.
A vlejnë suplementet nëse nuk keni mungesë të vitaminës B12?
Vlejnë nëse nuk konsumoni shumë produkte mishi dhe është një ide shumë e mirë për të moshuarit. Mungesa e vitaminës B12 mund të parandalohet me marrjen e një multivitamine në një sasi ditore prej 2.8 mcg vitamine B12.