Sht, Qer 13, 2026
Banner Top
Banner Top

Shkencëtarët në SHBA kanë njoftuar se zyrtarisht ka nisur El Niño, një fenomen natyror klimatik në Oqeanin Paqësor që zakonisht shoqërohet me rritje të temperaturave globale.

Administrata Kombëtare Amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) konfirmoi se kushtet e El Niño janë tashmë të pranishme në Paqësorin tropikal, ku temperatura e sipërfaqes së detit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Zhvillimi nuk ishte i papritur. Meteorologët e kishin parashikuar këtë fazë ngrohjeje pas përfundimit më herët gjatë vitit të La Niña-s, fenomenit “motër” më të ftohtë të El Niño-s.

Shumë parashikime sugjerojnë se ky mund të jetë një i ashtuquajtur “super” El Niño, madje një ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

I kombinuar me dekadat e ngrohjes globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ky fenomen mund të çojë në një tjetër vit rekord sa i përket temperaturave – me gjasë në vitin 2027 – si dhe në çrregullime të mëdha të kushteve atmosferike, furnizimit me ushqime dhe ekonomive botërore. Pasojat e tij pritet të ndihen gjerësisht dhe në mënyrë të thellë gjatë atij viti.

Konfirmimi i shkencëtarëve

Temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tashmë kanë tejkaluar pragun prej 0.5°C mbi mesataren, nivel që shkencëtarët amerikanë e përdorin si tregues për shpalljen e El Niño-s.

Në një njoftim të saj, NOAA thekson se “kushtet për El Niño janë zhvilluar gjatë muajit të kaluar, siç tregojnë temperaturat mbi mesatare në sipërfaqen e detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial”.

Agjencia amerikane gjithashtu vëren se erërat mbi Paqësorin ekuatorial po fillojnë të ndryshojnë drejtim dhe intensitet, çka shihet si një sinjal i rëndësishëm se atmosfera po reagon ndaj ngrohjes së oqeanit – dhe jo thjesht se oqeani po ngrohet në mënyrë të izoluar.

Ajo që ka befasuar studiuesit është niveli i lartë i sigurisë që tashmë tregojnë modelet kompjuterike në lidhje me fuqinë e këtij fenomeni. Intensiteti i El Niño-s matet sipas rritjes së temperaturës së sipërfaqes së detit mbi mesataren në një zonë kyçe të Paqësorit.

Një ngjarje konsiderohet e fortë kur temperatura rritet mbi 1.5°C mbi mesataren, ndërsa një shumë e fortë kur kalon 2°C.

Sipas parashikimit të qershorit të NOAA-s, ekziston një probabilitet prej 63% që gjatë periudhës nëntor–janar të ndodhë një El Niño shumë i fortë. Një zhvillim i tillë do ta rendiste atë ndër ngjarjet më ekstreme të regjistruara që nga viti 1950, kur edhe fillojnë të dhënat moderne klimatike.

Që nga ajo kohë, tre nga El Niño-t më të fuqishëm kanë ndodhur në vitet 1982/83, 1997/98 dhe 2015/16.

Ndërkohë, disa nga modelet më të fundit amerikane dhe evropiane shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se deri në fund të vitit temperaturat në Paqësorin tropikal mund të rriten edhe mbi 3°C mbi mesataren.

Megjithatë, agjencia amerikane ka bërë thirrje për kujdes në interpretimin e parashikimeve. “Edhe ngjarjet shumë të forta të El Niño-s nuk sjellin domosdoshmërisht të njëjtat pasoja në çdo rajon, por ngjarjet më intensive mund të rrisin ndjeshëm gjasat për zhvillime dhe ndikime tipike të këtij fenomeni,” thuhet në deklaratë.

Ngrohja globale po i përforcon pasojat

Shqetësimi më i madh, sipas ekspertëve, është se i gjithë ky fenomen po ndodh në një planet që tashmë është dukshëm më i ngrohtë.

“Duhet të shqetësohemi për pasojat”, tha profesori Adam Scaife, udhëheqës i parashikimeve në Met Office të Britanisë.

Ai shtoi se “El Niño aktual po mbivendoset mbi ngrohjen globale të konsiderueshme. Kjo do të thotë se temperaturat në rajonet e prekura mund të jenë të paprecedenta, pasi ngrohja e shkaktuar nga El Niño i shtohet ndryshimeve klimatike ekzistuese”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë