Një tjetër sukses i rëndësishëm për shkencën dhe mjekësinë kosovare po shënohet në arenën ndërkombëtare. Prof. Dr. Venera Berisha Muharremi po përfaqëson Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në ENDO 2026, Kongresin Vjetor të Endocrine Society, i cili po mbahet në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky është një nga forumet më prestigjioze në botë në fushën e endokrinologjisë, ku këtë vit janë mbledhur mbi 7,000 shkencëtarë, studiues dhe mjekë nga vende të ndryshme për të diskutuar zhvillimet më të fundit dhe për të formësuar të ardhmen e mjekësisë moderne.
Si anëtare e kësaj shoqërie elitare ndërkombëtare, Prof. Dr. Berisha Muharremi do të prezantojë punimin shkencor të ekipit të saj, i cili trajton Photobiomodulimin, një metodë inovative për trajtimin e sëmundjeve të tiroides me anë të teknologjisë laserike. Ky hulumtim paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe një hap të avancuar drejt aplikimit të metodave moderne terapeutike në endokrinologji.
Pjesëmarrja dhe prezantimi i këtij punimi në një skenë kaq prestigjioze përbën një arritje të veçantë për mjekësinë kosovare, duke promovuar potencialin akademik dhe kërkimor të Kosovës para elitës globale të shkencës dhe mjekësisë.
Me këtë rast, Prof. Dr. Venera Berisha Muharremi ka shprehur mirënjohjen e saj për bashkëpunëtorët dhe kolegët që kontribuan në realizimin e këtij suksesi, duke theksuar se arritje të tilla janë rezultat i punës së përbashkët, përkushtimit dhe vizionit për avancimin e shkencës dhe kujdesit shëndetësor.
Ky prezantim shënon jo vetëm një sukses personal dhe institucional, por edhe një moment krenarie për Kosovën, e cila po dëshmon gjithnjë e më shumë praninë dhe kontributin e saj në qendrat më të rëndësishme të shkencës botërore.













