Lifestyle Conference “Lifelong Health and Harm Reduction” u organizua për herë të parë në Kosovë, me fokus kujdesin ndaj shëndetit gjatë gjithë jetës dhe qasjet e reduktimit të dëmit.
Si një platformë gjithëpërfshirëse informimi, ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi, konferenca mblodhi profesionistë të shëndetit publik, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, akademisë, mjekë, psikiatër, nutricionistë, farmacistë, trajnerë dhe gazetarë të fushës së shëndetësisë, me mesazhin se shëndeti dhe reduktimi i dëmit janë përgjegjësi që i përkasin secilit prej nesh dhe jo vetëm mjekut.



Në fjalën hapëse, Laura Shehu, udhëheqëse e divizionit të shëndetit mendor në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, vlerësoi organizimin e konferencës dhe bëri të ditur se Ministria po punon për hapjen e Qendrës së Varësisë, një hap i rëndësishëm drejt kujdesit dhe reduktimit të dëmit që vjen nga alkooli, duhani dhe substancat. Ajo theksoi rëndësinë që Ministria i kushton shëndetit të komunitetit dhe grupeve në risk.
Në këtë drejtim, Dr.Shuperka, ekspert për çështjet e alkoolit dhe duhanit, e cilësoi iniciativën si një hap domethënës drejt përmirësimit të shëndetit të qytetarëve dhe rikujtoi se politikat e varësisë dhe reduktimit të dëmit duhet të jenë pjesë thelbësore e strategjive të shëndetit publik.
Prof. Dr. Miranda Stavileci Veliu, prodekane në Fakultetin e Mjekësisë, vlerësoi rëndësinë e konferencës dhe rolin e studentëve të pranishëm, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim të hershëm mbi çështjet e shëndetit.
Diskutimet vijuan me panele tematike që sollën perspektiva të ndryshme profesionale. Paneli “Varësitë dhe qasjet moderne të reduktimit të risqeve”, i moderuar nga Freskida Miloti, u fokusua te vetëdijesimi social, alternativat dhe koncepti i reduktimit të dëmit si qasje që shpëton jetë. Në këtë panel, Dr. Shuperka solli shembullin e Suedisë, një vend që po i afrohet pragut 5 për qind të konsumit të duhanit falë politikave të reduktimit të dëmit dhe përdorimit të produkteve me risk të reduktuar. Ai u shpreh: “Nëse e ke provuar disa herë të lësh duhanin dhe nuk ke pasur rezultat, është koha të orientohesh drejt alternativave më pak të dëmshme. Ministria e Shëndetësisë duhet t’i informojë qytetarët për këto mundësi dhe jo t’i ndalojë ato.”

Më tej, Dr. Luan Perçuku, kardiolog, theksoi se duhani me djegie mbetet një problem shqetësues në rritje, veçanërisht te të rinjtë dhe grupet në risk. Ai kujtoi se duhani me djegie përmban mbi 7 mijë kimikate, prej të cilave 70 janë kancerogjene, dhe shtoi: “Thirrja ime është e qartë. Lëreni plotësisht duhanin dhe, nëse nuk arrini, kaloni në forma më pak të dëmshme të nikotinës.”
Në të njëjtin panel, Dr. Rita Parashumti theksoi se ndalimi i menjëhershëm i duhanit, alkoolit apo substancave të tjera shpesh nuk është i mundur dhe se mbështetja përmes ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe alternativave më të mira është e domosdoshme.
Ndërsa Kadri Bytyqi, kryetar i Dhomës së Farmacistëve, theksoi rolin kyç të farmacistëve në luftën kundër varësisë dhe rëndësinë e këshillimit profesional për reduktimin e dëmit.
Diskutimet mbi stilin e jetesës morën një vend të veçantë me fokus te shëndeti mendor. Dr. Vera Ora, psikiatre me eksperiencë në NHS në Mbretërinë e Bashkuar, solli reflektime mbi fuqinë e mendjes dhe ndikimin e saj në mirëqenie.
Në vazhdim, Saranda Bujupi Rama udhëhoqi panelin mbi mirëqenien gjatë gjithë jetës duke theksuar ekuilibrin mes trupit dhe mendjes. Endokrinologu Prof.Dr. Elton Bahtiri vuri në dukje se stili i jetesës është një proces gradual që nis me ndërgjegjësimin dhe duhet të fillojë para shfaqjes së problemeve shëndetësore.

Ndërsa Elma Miftari, specialiste e neuropsikologjisë klinike, prezantoi studimin e saj mbi neurogjenezën dhe aftësinë e trurit për t’u riorganizuar përtej ndërhyrjeve farmakologjike.
Paneli përmbyllës “Shëndeti mendor pas traumës: nga ndërgjegjësimi te rimëkëmbja”, i moderuar nga Kaltrina Ajeti, solli reflektime dhe rekomandime të specialistëve për procesin e shërimit dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike.

Prezantimi i fundit u zhvillua në bashkëpunim me Avicena dhe iu dedikua parandalimit përmes kontrolleve periodike dhe analizave laboratorike, duke theksuar se kujdesi ndaj shëndetit nis me kontrollin.
Në fund të ditës, organizatorët e Chester Group shprehën falënderime të veçanta për partnerët mbështetës DentFix, Re Clinic, Fivestar, DeltaPharm dhe Avicena për kontributin e tyre në promovimin e një komuniteti më të shëndetshëm, më të ndërgjegjshëm dhe më të informuar.
Konferenca u mbyll me thirrjen për të përqafuar kujdesin ndaj shëndetit dhe qasjet e reduktimit të dëmit duke u mbështetur në shkencë, informim të saktë dhe praktikat e vendeve që kanë shënuar progres të dukshëm në fushën e shëndetit publik.














