Çrregullimi i ankthit social
Çrregullimi i ankthit social, i njohur gjithashtu si fobia sociale, është një çrregullim ankthi që karakterizohet nga frikë ose ankth i tepruar në një ose më shumë situata shoqërore. Për një person me ankth social, pjesëmarrja në një festë apo edhe një bisedë e thjeshtë me një person të panjohur mund të shkaktojë rrahje të shpejta zemre, djersitje dhe mendime të pakontrolluara.
Kur ankthi social bëhet i rëndë, është e zakonshme që individët të izolohen dhe të ndihen shumë të vetmuar, gjë që e bën rikuperimin më të vështirë.
Në fund të fundit, ky çrregullim mund ta bëjë të vështirë për një person të jetojë jetën që dëshiron. Frika e madhe nga turpërimi dhe refuzimi mund ta kufizojë atë në punë, shkollë dhe marrëdhënie personale. Ndërkohë që shumica e njerëzve ndihen të pasigurt për pranimin apo ndonjë situatë të sikletshme, ankthi i fortë dhe frika që e shoqërojnë çrregullimin e ankthit social janë aq të mëdha saqë individi e ka të vështirë të funksionojë në jetën e përditshme dhe shpesh i shmang fare situatat që i shkaktojnë ankth.
Sa i shpeshtë është çrregullimi i ankthit social?
Sipas Mental Health America, rreth 15 milionë ose 7% e të rriturve në SHBA vuajnë nga çrregullimi i ankthit social. Më shumë se 75% e tyre përjetojnë simptomat për herë të parë gjatë fëmijërisë ose adoleshencës. Njerëzit me këtë çrregullim kanë gjithashtu një rrezik më të lartë për varësi nga substancat ose çrregullim depresiv madhor.
Shkaqet
Nuk ka një shkak të vetëm, por disa faktorë rreziku mund të ndikojnë në zhvillimin e ankthit social. Personat që janë natyrshëm më të rezervuar, apo ata që kanë përjetuar trauma, si abuzim ose neglizhencë në fëmijëri, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë çrregullim.
Gjithashtu, nëse një anëtar i afërt i familjes (si prind apo vëlla/motër) ka këtë çrregullim, mundësia për ta zhvilluar rritet nga dy deri në gjashtë herë më shumë.
Trajtimet
Terapia:
Terapia kognitive-sjellore (CBT) është një nga format më të përdorura për trajtimin e ankthit social dhe ndihmon në menaxhimin e mendimeve dhe simptomave fizike që lidhen me të. Një formë shumë efektive e CBT-së është terapia e ekspozimit, ku pacienti përballet gradualisht me situatat që i shkaktojnë frikë.
Për shembull, te ankthi social, kjo mund të përfshijë:
- të telefononi një mik,
- të flisni me një të panjohur,
- të aplikoni për një vend pune,
- apo të flisni në publik.
Me kalimin e kohës, individi mëson që është në gjendje t’i përballojë këto situata, dhe ankthi pakësohet ndjeshëm.
Medikamentet:
Së bashku me terapinë, mund të përdoren edhe medikamente si:
- antidepresivët,
- benzodiazepinat (për përdorim afatshkurtër),
- ose beta-bllokuesit për situata të veçanta (si për të folur në publik).
Mbështetja:
Pasi fobia sociale mund të çojë në izolim, është shumë e dobishme të gjeni grupe mbështetjeje me persona që kanë përjetuar përvoja të ngjashme. Këto grupe mund të jenë në prani fizike ose online, dhe ofrojnë lidhje sociale, mirëkuptim dhe motivim për përmirësim. /Mental Health America/












