Hën, Qer 15, 2026
Banner Top
Banner Top
Pse hamë më shumë pasi anashkalojmë një vakt? Shkencëtarët thonë se arsyeja është në tru

Media britanike online The Independent ka raportuar se anashkalimi i vaktit të drekës mund të jetë arsyeja pse ndiheni kaq të uritur.

Hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë së Jugut thonë se qelizat e trurit që kanë zbuluar dhe që krijojnë kujtime për vaktet mund të shpjegojnë pse anashkalimi apo harrimi një vakti shkakton uri të tepruar dhe pse njerëzit me demencë ose probleme të tjera të kujtesës shpesh hanë më shumë se duhet.

“Truri dështon të regjistrojë si duhet përvojën e vaktit,” shpjegoi Lea Decarie-Spain, studente postdoktorale në USC Dornsife College of Letters, Arts and Sciences, “duke çuar në krijimin e kujtimeve të dobëta apo të paplota për vakte.”

Decarie-Spain ishte autore e parë e studimit që u publikua në revistën Nature Communications.

Kujtimet e regjistruara në tru, të njohura si engrama, i referohen ndryshimeve fizike ose kimike që ndodhin në tru kur një person mëson dhe ruan një kujtim.

Engramat e vakteve janë shenja të veçanta që një kujtim lë në tru dhe që ruajnë informacion rreth përvojës së konsumimit të ushqimit. Gjatë ngrënies, neuronet në hipokampin e trurit, që është pjesa përgjegjëse për kujtesën dhe të nxënit, aktivizohen dhe formojnë këto shenja në momentet ndërmjet kafshimeve. Studiuesit kanë identifikuar këto engrama që ndihmojnë të ruajnë lloje të ndryshme informacioni, si vendin ku po haje, si dhe kohën kur haje.

Për të arritur këto përfundime dhe për të parë se si formohen kujtimet për vakte, hulumtuesit përdorën teknika të avancuara të neuroshkencës dhe monitoruan aktivitetin e trurit të minjve laboratorikë gjatë ngrënies.

Kur qelizat e kujtesës së vakteve u shkatërruan, minjtë humbën kujtesën për vendndodhjet e ushqimit, por ruajtën kujtesën për vendndodhjet në detyra të tjera.

Autorët zbuluan se neuronet, një nga dy llojet kryesore të qelizave të trurit, komunikojnë me një pjesë të trurit që kontrollon urinë dhe sjelljen gjatë ngrënies. Por kur u bllokua lidhja midis kësaj pjese, e njohur si hipotalamusi lateral, dhe hipokampit, minjtë hanin në mënyrë të tepruar dhe nuk mund të mbanin mend ku kishin ngrënë.

Gjithashtu u pa se ngrënia pa vëmendje, si kur hani pa e menduar ose duke shpërqendruar vëmendjen, mund të dëmtojë kujtimet për vakte dhe të kontribuojë në ngrënie të tepërt. Momenti i regjistrimit të kujtimeve ndërmjet kafshimeve dobësohet kur vëmendja është e përqendruar diku tjetër.

Scott Kanoski, profesor i shkencave biologjike në USC Dornsife College, tha se është e arsyeshme të supozohet se edhe truri i njeriut kalon nëpër një fenomen të ngjashëm.

Në të ardhmen, ky zbulim mund të ndihmojë në zhvillimin e mënyrave të reja klinike për trajtimin e obezitetit dhe menaxhimin e peshës trupore.

“Së fundmi po kuptojmë se të mbash mend çfarë dhe kur ke ngrënë është po aq e rëndësishme për një ushqyerje të shëndetshme sa edhe zgjedhjet që bëjmë në ushqim,” tha autori përkatës i studimit. /The Independent/

Youtube

Arkiva

Kategoritë