Vaksinimi gjatë shtatzënisë mbron si nënën ashtu edhe foshnjën nga infeksione të rënda. Mjekët zakonisht rekomandojnë disa vaksina të sigurta dhe efektive, si Tdap, vaksina kundër gripit dhe dozwn përforcuese ndaj COVID-19.
Shtatzënia ndikon në sistemin imunitar, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të caktuara. Disa prej tyre mund të shkaktojnë komplikime gjatë shtatzënisë. Vaksinat e zvogëlojnë këtë rrezik dhe ndihmojnë që imuniteti të kalojë edhe te foshnja që në lindje, shkruan burimi Medical News Today.
Cilat vaksina rekomandohen gjatë shtatzënisë?
Në SHBA, profesionistët shëndetësorë rekomandojnë:
– Tdap (tetanosi, difteria dhe kollë e mirë).
– Vaksina kundër gripit.
– Dozën përforcuese ndaj COVID-19.
– Vaksina kundër virusit RSV.
Tdap:
Mbrojtja ndaj tri sëmundjeve bakteriale të rrezikshme: tetanosi, difteria dhe kollë e mirë. Kjo vaksinë ndihmon në krijimin e antitrupave që kalojnë te foshnja dhe e mbrojnë atë pas lindjes. Rekomandohet në çdo shtatzëni, më së miri në fillim të tremujorit të tretë.
Vaksina e gripit:
Gratë shtatzëna janë më të rrezikuara nga komplikimet e gripit. Vaksina sezonale e gripit aktivizon sistemin imunitar ndaj varianteve më të fundit të virusit. Vaksinat e inaktivizuara dhe rekombinante janë të sigurta. Ato që përmbajnë virus të gjallë nuk rekomandohen gjatë shtatzënisë.
COVID-19:
Gratë shtatzëna kanë rrezik më të lartë nga komplikimet e COVID-19. CDC këshillon që gratë shtatzëna ose ato që planifikojnë shtatzëni të jenë të përditësuara me vaksinat përforcuese. Një studim i vitit 2024 në mbi 100,000 foshnje tregoi se vaksina nuk lidhet me pasoja negative pas lindjes.
RSV:
Ky virus shkakton infeksione serioze të frymëmarrjes te të porsalindurit. Vaksinimi gjatë shtatzënisë e mbron foshnjën që në lindje, por mund të jepet edhe pas lindjes, nëse foshnja është më e vogël se 8 muaj gjatë sezonit të parë të RSV-së.













