Trajtim i ri për Epilepsinë Farmakorezistente në Kosovë, fillon zbatimi i metodës VNS në SHSKUK
Që nga viti 2022, Klinika e Neurologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Neurokirurgjisë ka ndërmarrë hapa konkretë për përgatitjen dhe fillimin e këtij trajtimi në kuadër të SHSKUK-së.
Këto përgatitje kanë përfshirë: Trajnime profesionale në Kroaci, Belgjikë dhe Çeki, hartimin e planit të veprimit nga Grupi Punues i Ministrisë së Shëndetësisë, sigurimin e pajisjeve dhe krijimin e kushteve për implementimin e metodës VNS me mbështetjen e SHSKUK-së.
Më 2 dhe 3 qershor 2025, janë realizuar me sukses ndërhyrjet e para VNS te tre pacientë të përzgjedhur nga ekipi i Klinikës së Neurologjisë. Operacionet u kryen në sallën kirurgjike të Klinikës së Neurokirurgjisë, nën udhëheqjen e neurokirurgut italian dr. Leonardo Fiori nga spitali “Alessandro Manzoni” në Lecco, Itali, dhe në bashkëpunim me ekipin vendor të udhëhequr nga dr. Besnik Elshani. Pjesë e rëndësishme e ndërhyrjes ishte edhe ekipi i anestezionit dhe dr. Melihate Pushka nga Klinika e Neurologjisë.
Trajtimi me VNS tashmë është një shërbim i ri që fillon të ofrohet në institucionet publike shëndetësore të vendit dhe pritet të sjellë lehtësim për shumë pacientë që deri më tani kanë pasur nevojë për trajtim jashtë vendit, me kosto të lartë dhe vështirësi logjistike.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të trajtimit të epilepsisë në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona për të ofruar kujdes cilësor neurologjik brenda vendit.












