Die, Qer 14, 2026
Banner Top
Banner Top

Ekspertët janë të interesuar të kuptojnë se si mikrobiota e zorrëve mund të ndikojë në çrregullime të shëndetit mendor si ankthi.

Një rishikim narrativ sugjeron se njerëzit me ankth mund të përjetojnë një ulje të diversitetit mikrobial dhe një reduktim të baktereve që prodhojnë acide yndyrore me zinxhir të shkurtër shkruan burimi Medical News Today.

Ky zbulim gjithashtu sugjeron se përdorimi i probiotikëve mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave të ankthit.

Mikrobiota e zorrëve i referohet mikroorganizmave që jetojnë në zorrë.

Një rishikim narrativ, i publikuar së fundmi në revistën “Nutrients”, synoi të analizonte të dhënat mbi ndryshimet në mikrobiotën e zorrëve te njerëzit me çrregullime ankthi dhe se si probiotikët mund të ndihmojnë në përmirësimin e simptomave të ankthit.

Rezultatet sugjerojnë se tek njerëzit me çrregullime ankthi ndodhin ndryshime, siç është ulja e diversitetit mikrobial. Për më tepër, probiotikët mund të ndihmojnë në rregullimin e mikrobiotës së zorrëve dhe përmirësimin e simptomave të ankthit.

Si mund të ndihmojnë probiotikët në trajtimin e simptomave të ankthit?

Psikoterapisti i licencuar Noah Kass, i cili nuk mori pjesë në këtë rishikim, i tha Medical News Today se ky studim “forcon lidhjen midis florës së zorrëve dhe shqetësimit psikologjik” dhe “sugjeron që trajtimet e caktuara probiotike, veçanërisht shtamet Lactobacillus, mund të ndihmojnë individët me çrregullime të lidhura me ankthin.”

Në lidhje me përdorimin e probiotikëve, Kass shpjegoi gjithashtu se:

“Disa baktere të zorrëve prodhojnë GABA dhe serotoninën, neurotransmetues që rregullojnë emocionet dhe përgjigjen ndaj stresit. Hulumtimet tregojnë një lidhje midis shëndetit të zorrëve dhe mirëqenies mendore. Marrja e probiotikëve mund të ndikojë në këtë ekuilibër, duke e bërë individin më të qëndrueshëm ndaj stresit, gjë që mund të jetë e dobishme për ata me çrregullime të lidhura me ankthin”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë