Në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Shoqata “Shqiponja” organizon një program kulturor dhe artistik në qytetin e Rosenheimit, Gjermani.
Eventi, do të mbahet me 16 shkurt dhe do të fillojë në orën 15:00, duke mbledhur bashkatdhetarë nga e gjithë diaspora shqiptare për të festuar këtë ditë historike.
Një nga momentet kulmore të kësaj feste do të jetë prania e Princ Loris Castriota Skanderbeg, pasardhës i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai do të ndajë me të pranishmit histori dhe fakte të rëndësishme mbi trashëgiminë e familjes së tij, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit shqiptar në diasporë.
Për të pasuruar atmosferën festive, në skenë do të performojnë artistë të njohur si Claudia Prenaj, Arber Maliqi, Dini – Sint dhe Gipa – Show, ndërsa Grupi i Vallëzimit “Rinia – Rosenheim” dhe nxënësit e shkollës shqipe në Rosenheim dhe Kolbermoor do të sjellin valle dhe këngë tradicionale shqiptare.
Festa do të përcillet edhe nga televizioni Kanal10 nga Kosova. Gazetarja Saranda Bujupi Rama dhe ekipi i saj do të realizojnë një reportazh mbi këtë ngjarje i cili do të transmetohet në emisionin e Familjajonë, duke sjellë atmosferën e festës tek ata që nuk mund të jenë të pranishëm.
Shoqata “Shqiponja” fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në këtë aktivitet, për të festuar së bashku dhe për të dëshmuar se gjuha, kultura dhe traditat shqiptare vazhdojnë të ruhen me krenari në diasporë.












