Me rritjen e diagnozave të kancerit të zorrëve tek njerëzit nën 50 vjeç, studiuesit po i bëjnë thirrje publikut të rrisë marrjen e fibrave dhe të adoptojë zakone më të shëndetshme të të ngrënit për të zvogëluar rrezikun e kancerit gastrointestinal.
Studimet nga Universiteti Flinders zbulojnë se dietat e pasura me fruta, perime, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme, ndërkohë që kufizojnë sheqerin dhe alkoolin, mund të ulin ndjeshëm rrezikun e kancerit dhe të përmirësojnë rezultatet, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten prova të mëtejshme klinike për të kuptuar më mirë se si modelet dietike ndikojnë në zhvillimin e kancerit dhe për të zgjeruar edukimin mbi të ushqyerit si masë parandaluese.
Hulumtimet nga Universiteti Flinders dhe Instituti i Kërkimeve Mjekësore në Australi, të botuara në revistën “European Journal of Nutrition”, bazohen në provat ekzistuese të zbuluara nga i njëjti ekip, të cilat tregojnë se një dietë e pasur me fruta, perime, drithëra, peshk, bishtajore dhe qumështi mund të ndihmojnë nga kanceri gastrointestinal.
Studiuesit kanë gjetur lidhje të forta midis dietës së varfër ushqyese dhe një rreziku më të lartë të kancerit të tretjes.
Ata sugjerojnë se ngrënia e më shumë yndyrave dhe perimeve të shëndetshme, ndërkohë që reduktoni sheqerin dhe alkoolin, mund të ulë ndjeshëm rrezikun e kancerit kolorektal dhe llojeve të tjera të kancerit.
Anasjelltas, modelet e të ushqyerit jo të shëndetshëm – të karakterizuara nga konsumi i lartë i mishit të kuq dhe të përpunuar, ushqimeve të shpejta, drithërave të rafinuara, alkoolit dhe pijeve me sheqer – janë të lidhura fort me një rrezik më të lartë të kancerit gastrointestinal.
Autori i parë, Zegeye Abebe Abitew, asistent kërkimor në Kolegjin e Mjekësisë dhe Shëndetit Publik në Universitetin Flinders, tha për Medical News Today se “një dietë e pasur me yndyrna të shëndetshme, vajra, perime jeshile të errëta dhe perime të tjera, e kombinuar me konsum të ulët të sheqerit, birra dhe pijet alkoolike, lidheshin me një rrezik më të ulët të kancerit kolorektal”.
“Perimet janë të mbushura me fibra, vitamina, minerale dhe antioksidantë, të cilët ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe mbështesin shëndetin e përgjithshëm”, shpjegoi ai.
“Nga ana tjetër, një dietë e lartë me karbohidrate dhe fibra, duke përfshirë agrume, fruta të tjera, drithëra jo integrale, drithëra integrale, sheqer dhe perime jeshile të errëta, nuk tregoi lidhje të qartë me rrezikun e kancerit kolorektal”, tha Abitew,
“Ndërsa fibrat dihet se mbrojnë kundër [kancerit kolorektal], marrja e lartë e drithërave jo integrale dhe e sheqerit në këtë model mund të balancojë efektet e saja mbrojtëse,” shtoi ai.











