Vaksina kundër HPV (Human Papilloma Virus) është një ndër vaksinat më të rëndësishme për parandalimin e infeksioneve të shkaktuara nga ky virus. HPV është një grup prej më shumë se 200 llojesh të ndryshme virusesh, ku rreth 40 prej tyre transmetohen seksualisht dhe prekin organet gjenitale, gojën dhe fytin.
Vaksina është projektuar për të parandaluar infeksionet me tipet më të zakonshme dhe më të rrezikshme të HPV, të cilat mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, kancer të anusit, kancer të vulvës, si dhe kancer në fyt dhe gojë.
Vaksina ka treguar një efikasitet të lartë në parandalimin e infeksioneve nga llojet e HPV-së që shkaktojnë kancer.
Është më efektive kur merret para ekspozimit ndaj virusit, prandaj rekomandohet për adoleshentët dhe të rinjtë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qendra të tjera shëndetësore rekomandojnë vaksinën për vajzat dhe djemtë, zakonisht në moshën 11-12 vjeç, por mund të jepet edhe deri në moshën 26 vjeç nëse nuk është marrë më parë.
Në lidhje me këtë ka shkruar edhe Dr. Drita Kabashi, gjinekologe, e cila ka bërë të ditur se në ditën ndërkombëtare të vajzës, ajo ia bëri dhuratën më të mirë vajzës së saj duke e vaksinuar me vaksinen HPV.
Ndër të tjera, ajo u shpreh se dëshiron të apeloj që të gjitha nënat t’i vaksinojnë vajzat e tyre.
Gjithashtu, ajo njoftoi se ka filluar edhe ligjeratat nëpër shkolla dhe emisione të ndryshme që të ngris vedijësimin rreth rëndësisë së kësaj vaksine dhe përparësive të saj.
Në fund, vlen të theksohet se ky lloj vaksinimi ka potencialin për të eliminuar pothuajse të gjitha llojet e kancerit që lidhen me HPV-në, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës dhe ulur barrën shëndetësore globale.