Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Dërgohet në Kuvend Projektligji për Sigurimin Shëndetësor

Përkundër kritika të partive opozitare, Komisioni për Shëndetësi ka dërguar për në seancë Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Partitë opozitare e kanë cilësuar të vonuar dhe pa zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa nga partia në pushtet konsiderojnë se “reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh”.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka theksuar se ky projektligj është i obligueshëm në bazë të rregullores së punës së Kuvendit dhe pa marr parasysh verdiktin ky projektligj detyrimisht shkon në Kuvend për shqyrtim.

Zemaj në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se projektligji për sigurime shëndetësore është i vonuar dhe se i njëjti në përmbajtje nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme.

“Më shumë është përgatitur për të mbuluar dështimin katërvjeçar të qeverisë në sektorin e shëndetësisë dhe ky ligj nuk mund të improvizohet në fund të mandatit sa për të mbuluar procedurën legjislative”, ka theksuar Zemaj.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes,  Haxh Avdyli ka theksuar se reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh.

“Besoj që deri në fund të mandatit do të kemi edhe ligjin për shëndetësi, ligjin për inspektoratet po edhe ligjin për sigurimet shëndetësore të cilat do të rrumbullakojmë reformën në shëndetësi”, ka theksuar Avdyli.

Sipas tij, ky projektligj i ka adresua të gjitha mangësitë të cilat kanë penguar që Kosova deri më sot mos të ketë sigurime shëndetësore.

Kurse deputeti Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të jetë shumë e vështirë që të përjetësohet në praktikë, sepse sipas tij ka ardhur vonë dhe nuk është koha të amandamentohet.

Sipas tij për të realizuar sigurime shëndetësore nevojiten minimumi katër vite që të grumbullohet fondi dhe që të funksionalizohet procesi.

“Është e çuditshme pse pas tri viteve qeverisje sillet këtu, sikur ta kishim pasur në fillim të vitit 2021 vërtetë do të kishim dhënë kontributin tonë”, theksoi Dreshaj

Dreshaj u shpreh se ky projektligj me të gjitha premisat është i paraparë të dështoj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë