Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Cili është dallimi mes krizave epileptike dhe epilepsisë? – përgjigjet neurologu, Rushit Jashari

Albina Selmanaj

Krizat epileptike janë çrregullime të trurit në bazë të shkarkimeve vazhdimisht në rritje të qelizave nervore ndërsa, epilepsitë janë kriza të përsëritura epileptike pa një arsye të dukshme për çastin e manifestimit.

Ekzistojnë më shumë se dhjetë forma të krizave epileptike dhe shumë më tepër forma të epilepsive, kjo edhe për faktin se ato mund të shfaqen në kombinacion me forma të ndryshme krizash.

Për të kuptuar më shumë rreth sëmundjes së epilepsisë dhe krizave epileptike neurologu, Rushit Jashari në një intervistë për portalin Familjajonë ka dhënë informacione shumë të rëndësishme për shkaktarët e tyre.

Ndër të tjera, Jashari ka folur për simptomat dhe fazat e kësaj sëmundje. Tutje, ai ka treguar edhe për dallimin mes sëmundjes së epilepsisë dhe krizave epileptike, por po ashtu edhe rreth asaj se sa janë të dhimbshme këto kriza dhe a mund të kenë shërim.

Intervista e plotë:

Çfarë e shkakton epilepsinë?

Shkaktarët e epilepsisë janë me natyrë idiopatike(e pa njohur) dhe shkaktarët që njihen fillojnë nga lindja e fëmijës, nga traumat gjatë lindjeve të vështira, më vonë gjatë traumave në komunikacion, në moshën e mesme nga tumoret në tru, në moshën e shtyre nga aksidentet vaskulare në tru dhe nga atrofia e trurit epilepsia senile.

Cilat janë simptomat e epilepsisë?

Simptomet e epilepsisë janë humbja e vetëdijes, kokëdhembja, marramendja, humbje e disponimit, humbje e aktivitetit motorik, shfaqje e fenomeneve sensitive, ose sjellje joadekuate.

Cili është ndryshimi midis një krize epileptike dhe epilepsisë?

Dallimi ndërmjet një krize epileptike dhe epilepsisë është sepse një krize e vetme epileptike nuk është epilepsi sepse rreth 8% e popullatës se botës mund të kenë një sulm epileptik dhe nuk përsëritet.

Çfarë formash mund të ketë një krizë epileptike?

Format e epilepsisë janë të ndryshme duke filluar nga forma fokale ku është një vatër epileptike qe përcillet me apo pa humbje të vetëdijes si: forma motorike e përcjellur me lëvizje muskulare. Forma sensitive e përcjellur me ndryshime sensitive. Forma motorike e gjenerizuar e përcjellur me humbje të vetëdijes e përcjellur me konvulzionet toniko klonike ku në 10% të rasteve përcillet me sindrom prodromale në forma të ndryshimit të disponimit, iritabilitetit, depresionit dhe shqetësimit te të sëmurit. Aura është një ndjenje e posaçme që manifestohet para sulmit epileptik ku i sëmuri e parandjen, këtu i sëmuri e përjeton si një ndjenjë te pacaktuar në kokë si te jetë koka plot ose si marramendje, ndonjëherë edhe si sensacione ne bark qe shkojnë përpjetë ka fyti, herën tjetër parafytyrime te llojllojshme.

A janë të dhimbshme apo të rrezikshme krizat epileptike?

Krizat epileptike nuk janë të dhimbshme sepse ato paraqiten përnjëherë me humbje të vetëdijes që zgjasin deri në 2 min. Janë te rrezikshme sepse gjatë një krize i sëmuri mund te lëndohet varësisht se ku e atakon kriza epileptike psh.ne komunikacion, afër gjësendeve të mprehta, në ujë, në punëtori dhe shpesh janë te lënduar ne kokë por mund të përfundojnë edhe me fatalitet.

A është e shërueshme sëmundja e epilepsisë ?

Sulmet epileptike janë të shërueshme në shumicën e rasteve varësisht nga shkaktari dhe forma e epilepsisë. Trajtimi fillohet me monoterapi me një antiepileptik, por kemi format rezistente(refraktare)ku përdoret dy apo më shumë antiepileptik për të parandaluar sulmin ku te format refraktare përdoret edhe intervenimi kirurgjik, nëse barnat antiepileptik nuk parandalojnë sulmin epileptik./familjajonë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë