Shumë njerëz mendojnë se ushqyerja e shëndetshme varet vetëm nga vullneti, por studimet tregojnë se mënyra se si e perceptojmë ushqimin ka po aq rëndësi sa vetë ushqimi. Sipas ekspertëve, truri ynë ndikohet vazhdimisht nga mjedisi, zakonet dhe sinjalet vizuale, të cilat shpesh na shtyjnë të hamë më shumë ose të zgjedhim ushqime më pak të shëndetshme, sipas BBC News, raporton FamiljaJone.
Një nga strategjitë më efektive është të ndryshojmë mënyrën se si e organizojmë ambientin tonë. Vendosja e ushqimeve të shëndetshme në vende të dukshme dhe largimi i ushqimeve me shumë sheqer ose kalori nga fusha e shikimit mund të ndikojë ndjeshëm në zgjedhjet tona të përditshme. Gjithashtu, ngrënia pa telefona, televizor apo ekrane të tjera ndihmon në rritjen e vëmendjes ndaj ushqimit dhe ndjenjës së ngopjes.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu ngrënien në orare të rregullta dhe shmangien e kapërcimit të vakteve. Kur kalojnë shumë orë pa ngrënë, niveli i urisë rritet dhe rreziku për të konsumuar ushqime të pashëndetshme bëhet më i madh.
Një tjetër teknikë e thjeshtë është të ngadalësohet ritmi i ngrënies. Trurit i duhen rreth 20 minuta për të marrë sinjalin se stomaku është ngopur, prandaj ngrënia më e ngadaltë mund të ndihmojë në konsumimin e më pak kalorive.
Studiuesit theksojnë se ndryshimet e vogla dhe të qëndrueshme japin rezultate më të mira sesa dietat ekstreme. Në vend që të fokusohemi vetëm te kufizimet, krijimi i zakoneve që e bëjnë zgjedhjen e shëndetshme më të lehtë mund të ketë ndikim afatgjatë në peshë dhe shëndet./FamiljaJonë













