Shikimi ynë mund të dobësohet natyrshëm me kalimin e viteve, por ka edhe shumë faktorë të stilit të jetesës që ndikojnë në cilësinë e tij.
Nga zgjedhja e ushqimeve të duhura deri te kufizimi i kohës që kalojmë përpara ekraneve, ekzistojnë disa mënyra të thjeshta për të ruajtur dhe përmirësuar shëndetin e syve.
Në këtë artikull, do të shqyrtojmë disa nga ushqimet më të mira që mund të përfshihen lehtësisht dhe rregullisht në dietën tonë për të ndihmuar shikimin dhe shëndetin e përgjithshëm të syve.
1. Peshku
Peshku është i pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat janë shumë të dobishme për organizmin, sidomos për shëndetin e syve.
Llojet më të rekomanduara për përmbajtjen e lartë të omega-3 janë toni, salmoni, skumbria, sardelet dhe hamsitë.
2. Specat e kuq të papërpunuar
Specat janë ndër perimet me përmbajtjen më të lartë të vitaminës C për kalori. Vitamina C ndihmon në ruajtjen e enëve të gjakut të syrit dhe mund të ulë rrezikun për zhvillimin e kataraktës.
Përveç specave, vitamina C gjendet edhe në luleshtrydhe, lulelakër dhe lakër bok choy.
3. Farat
Farat përmbajnë sasi të mëdha omega-3 dhe vitaminë E, të dyja me efekte të dobishme për shikimin.
Farat e rekomanduara për këtë qëllim janë ato të linit, qia dhe kërpit.
4. Perimet me gjethe të errëta
Spinaqi dhe lakra jeshile janë shembuj të shkëlqyer të ushqimeve që përmirësojnë shëndetin në përgjithësi dhe veçanërisht atë të syve.
Ato janë të pasura me antioksidantë si karotenoidet, të cilët mund të ulin rrezikun për zhvillimin e degjenerimit makular të lidhur me moshën, shkaku më i zakonshëm i humbjes së rëndë të shikimit pas moshës 55 vjeç.
Këto perime përmbajnë gjithashtu luteinë dhe zeaksantinë, burime të mira të vitaminës C.
5. Karotat
Edhe pse nuk do t’ju bëjnë të shihni në errësirë totale, ushqimet me ngjyrë portokalli si karotat, patatet e ëmbla dhe mango përmbajnë beta-karoten.
Beta-karoteni është një formë e vitaminës A që ndihmon sytë të përshtaten më mirë me dritën e ulët.
6. Mishi me pak yndyrë dhe mishi i shpendëve
Ushqimet e pasura me zink janë të rëndësishme, pasi ky mineral ndihmon transportin e vitaminës A nga mëlçia në retinë. Aty, ajo ndihmon në prodhimin e melaninës, një pigment që mbron sytë.
Midhjet kanë përmbajtjen më të lartë të zinkut por edhe mishi i viçit, derrit dhe pulës janë burime të mira.
7. Vezët
Ashtu si mishi, edhe vezët janë burim i mirë i zinkut. Zinku ndihmon trupin të përthithë më mirë luteinën dhe zeaksantinën që ndodhen në të verdhën e vezës. Këta përbërës mbrojnë sytë nga drita e dëmshme blu.
8. Brokoli dhe lakrat e vogla (Brussels sprouts)
Edhe pse jo të preferuarat e të gjithëve, këto perime përmbajnë kombinimin e dobishëm të vitaminave A, C dhe E që ndihmojnë në mbrojtjen e syve nga dëmtimet që shkaktojnë radikalet e lira.
9. Fasulet dhe bishtajoret
Për ata që ndjekin një dietë vegane apo vegjetariane, bishtajoret janë zgjidhje e mirë për shëndetin e syve. Ato kanë pak yndyrë, shumë fibra dhe përmbajnë zink dhe lëndë të tjera ushqyese që ndihmojnë në ruajtjen e shikimit.
10. Uji
Edhe pse nuk është ushqim, uji është po aq i rëndësishëm për shëndetin e syve sa çdo gjë tjetër në këtë listë.
Hidratimi ndihmon në parandalimin e tharjes së syve dhe e mban sipërfaqen e syrit të rehatshme gjatë gjithë ditës. /Anderson Eye Care/













