Rajoni më verior i Norvegjisë, Finnmark, i ka kërkuar Komisionit Evropian që të miratojë vendosjen e një zone kohore, ku dita do të ketë 26-orë.
Autoritetet lokale thonë se kjo kërkesë, e promovuar nga kryetari i bashkisë Vadso, një qytet i vogël në Rrethin Arktik pranë kufirit rus, të cilin shumë e konsiderojnë të çuditshëm, synon të promovojë vlerat lokale, të rrisë kohën familjare dhe të tërheqë banorë të rinj në rajon, raporton politico.
Në letrën e tyre drejtuar Komisionit Evropian, i cili konfirmoi marrjen e kërkesës, autoritetet lokale në rajonin e Finmarkut po i kërkojnë KE-së të urdhërojë autoritetet norvegjeze të miratojnë krijimin e një zone kohore me një ditë 26-orëshe në vend të një 24-orëshe në ditë.
“Ne nuk kemi menduar shumë se si do të funksionojnë zonat e reja kohore në praktikë. Unë nuk mendoj se KE do ta miratojë këtë propozim, kështu që ne nuk kemi përpunuar të gjitha detajet”, tha Wenche Pedersen, kryebashkiaku i Vadso.
“Përmes projektit tonë ‘MOREtime’, ne synojmë të festojmë dhe promovojmë këtë mënyrë unike të jetesës, duke u ofruar individëve mundësinë për të shijuar më shumë kohë cilësore duke u angazhuar në aktivitete të tilla si peshkimi, gjuetia, mësimi i gjuhëve të reja ose thjesht të qenit me të dashurit”, tha Vadso.
“Cila është e mira e të jetuarit këtu? Është koha”, tha ajo.
Duke zgjatur kohëzgjatjen e ditëve, Pedersen shpreson se më shumë njerëz do të frymëzohen për të lëvizur në rajonin e largët. Sigurimi që zona të jetë e populluar është “më e rëndësishme se kurrë” në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, shtoi Pedersen.
A mund të ndodhë në të vërtetë?
Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por vendi është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE). Ndërsa një direktivë e BE-së rregullon kohën e verës, nëse ajo ka autoritet për krijimin e zonave të veçanta kohore është një pyetje tjetër.
Sipas një zyrtari të Komisionit, zonat kohore janë një çështje e vetë vendeve, kështu që nuk ka gjasa që BE të jetë në gjendje të përmbushë kërkesën e rajonit. /Telegrafi/