100 persona çdo ditë i drejtohen Urgjencës së Shërbimit Infektiv dhe pothuajse gjysma e tyre për shkak të helmimeve nga ushqimet.
Mjekja infeksioniste Migena Qato thotë për TCH se këto dy muaj të verës kanë pasur fluks dhe më e ngarkuar është fundi dhe fillimi i javës, kur njerëzit kthehen nga plazhet.
Për çdo shqetësim, një temperaturë e zgjatur apo dhe Covid, i cili është i pranishëm edhe në këtë periudhë dhe trendi duket në rritje edhe pse nuk shfaq simptoma të rënda, qytetarët i drejtohen Urgjencës së Infektivit.
Mjekja infeksioniste u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes me ushqimet, sidomos kur i drejtohen plazheve, si për ata që marrin ushqim me vete, por edhe ata që frekuentojnë restorantet, pasi mundësia e kontaminimit të ushqimeve është e lartë, sidomos në ato subjekte që ofrojnë shërbime, por që nuk respektojnë siç duhet rregullat e higjenës.