Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i Ministrisë së Shëndetësisë informon qytetarët se gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të aktivizohet një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës.
Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i, USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Vaksinimi kundër COVID-19 në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në Qendrën Tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2).
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19.