Krenare Hoti
Urtikaria papulare është një gjendje e zakonshme dermatologjike e cila mund të ketë ndikim të madh në cilësinë e jetës, duke shkaktuar parehati, pagjumësi dhe në raste të rënda dhe infeksione sekondare për shkak të gërvishtjeve të vazhdueshme.
Në disa raste, urtikaria papulare vazhdon edhe në stinën e vjeshtës, veçanërisht nëse pickimet e insekteve ende ndodhin në ambientet e brendshme.
Prandaj, trajtimi i kësaj teme është mjaft i rëndësishëm. Në lidhje me këtë, portali “Familja Jonë” ka intervistuar alergologun/imunologun Dr. Arben Ukimeri për të mësuar më shumë.
Gjeni poshtë intervistën e plotë:
- Çfarë është urtikaria papulare?
Urtikaria papulare, e njohur gjithashtu si “urtikaria papuloze,” është një reagim i lëkurës që ndodh shpesh si pasojë e mbindjeshmërisë ndaj pickimeve të insekteve. Ky reagim papulovezikular ndaj pickimit të insekteve dhe arachnideve është më i zakonshëm tek fëmijët sesa tek të rriturit.
Shfaqet gjatë muajve të verës ose të vjeshtës. Quhet gjithashtu edhe reaksion i vazhdueshëm ndaj pickimit të insekteve. Ka reaksione ndaj insekteve të ndryshme si p.sh.: mushkonjave, pleshtave, morrave të shpendëve, të bimëve, të kafshëve dhe të shumë insekteve të tjera.
2. Si shfaqet urtikaria papulare?
Ajo karakterizohet nga shfaqja e gungave të vogla, të kuqe dhe shumë kruajtëse (papula) në sipërfaqen e lëkurës. Këto papula shpesh janë të shpërndara në grupe dhe mund të formojnë flluska të vogla që mund të jenë të dhimbshme.
3. Cilat mosha prek më shumë urtikaria papulare?
Urtikaria papulare më së shpeshti shfaqet tek fëmijët. Kjo për shkak se desensibilizimi ndaj pickimit të insekteve nuk është zhvilluar ende. Mund të ndodhë edhe tek të rriturit, veçanërisht tek ata që e ndërrojnë vendbanimin.
Simptomat mund të përkeqësohen në rastet kur personi i prekur gërvisht lëkurën, çka mund të çojë në infeksione dytësore.
4. Cili është shkaku i urtikarisë papulare?
Urtikaria papulare mendohet të jetë një reaksion imunologjik ndaj pickimit të insekteve. Reagimi qetësohet pas disa muajsh ose vitesh, pasi personi desensibilizohet ndaj pickimeve të insekteve përkatëse.
Pleshtat dhe morrat që jetojnë te macet dhe qentë janë përgjegjësit më të shpeshtë. Pleshtat shihen lehtësisht me sy të lirë, por është e vështirë për ti larguar. Pleshtat prodhojnë shumë vezë, të cilat bëhen larva dhe pupa. Macja mesatarisht ka rreth njëzet pleshta, por ndonjëherë mund të ketë deri në 20,000. Morrat janë shumë të vegjël, mezi shifen me sy, por janë një shkak po aq i zakonshëm i urtikarisë papulare.
5. Si mund të evitohen këto pickime?
Kafshët infestohen me morra në mënyrë të përsëritur dhe duhet të trajtohen çdo 2-3 javë me insekticide deri sa të largohen përfundimisht. Jo të gjithë me urtikari papulare kanë kafshë shtëpiake dhe ndonjëherë mund të jetë e vështirë të përcaktohet se nga po vinë këto insekte.
6. Si mund të trajtohet urtikaria papulare?
Trajtimi i urtikarisë papulare synon kryesisht lehtësimin e simptomave si kruarja dhe parandalimin e infeksionit të zonave të prekura. Disa nga mënyrat përfshijnë përdorimin e kremrave dhe pomadave antihistaminike, kremra qetësuese, mbajtja e zonës së paster, etj.
Trajtimi më i mirë gjithmonë varet nga gjendja individuale e pacientit, prandaj është mirë të kërkoni këshillë mjekësore për një diagnozë dhe trajtim të saktë.
Dr. Arben Ukimeri – Alergolog/Imunolog
#alergjiadheastma #alergji #insekt #astma #alergolog #dermatolog #urtikaria #poleni #lëkura