11.2 milion fëmijë e të rinj nën 19 vjeç në Bashkimin Evropian, me probleme të shëndetit mendor
Të dhëna alarmante vijnë nga një raport i UNICEF mbi gjendjen e shëndetit mendor për adoleshentët dhe të rinjtë e moshave 13-19-vjeçare për vitin 2024. Sipas këtij raporti, 18% e kësaj grupmoshe vuan nga ankthi dhe 4% nga depresioni. Pothuajse 48% e problemeve të shëndetit mendor manifestohen në moshën 18-vjeçare. Më shqetësues mbetet fakti se shumë prej tyre nuk diagnostikohen apo trajtohen.
Vetëvrasjet janë shkaku i dytë i vdekshmërisë ndërmjet 15-19-vjeçarëve, pas aksidenteve rrugore. Në vitin 2020, rreth 931 të rinj kanë humbur jetën për shkak të vetëvrasjes në vendet e Bashkimit Evropian, e cila përkthehet sipas UNICEF në 18 humbje jete në javë. Por nga ana tjetër, ka dhe lajme pozitive, pasi vetëvrasjet kanë rënë me 20% gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2011.
UNICEF raporton se 70% e të rinjve të moshave 15-19 vjeç në Bashkimin Evropian që kanë humbur jetën janë meshkuj dhe pjesa tjetër femra.
Ndihmë e pamjaftueshme për shëndetin mendor
Në Bashkimin Evropian, të dhënat për qasjen e fëmijëve ndaj shërbimeve për shëndetin mendor janë të kufizuara. Ato tregojnë se në vitin 2022, pothuajse gjysma e të rinjve në moshat 18-29 vjeç, që kishin nevojë për ndihmë përsa i përket shëndetit mendor, nuk ishin të kënaqur.
Sipas UNICEF, aktualisht, në vendet e Bashkimit Evropian investimet në shërbimet e shëndetit mendor janë të vogla krahasuar me shërbimet e shëndetit fizik. Është e nevojshme të garantohen mjetet e nevojshme për të përballuar problemet e shëndetit mendor, nëpërmjet parandalimit dhe promovimit të shëndetit pozitiv mendor dhe mirëqenies.