Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Trojani zgjohet nga koma, por në gjendje të rëndë – Prindërit kërkojnë ndihmë financiare për shërimin e tij në Shkup

Ndonëse u zgjua nga koma, gjendja shëndetësore e Trojan Kajdomqaj, 9-vjeçarit nga Gjakova që pësoi helmim të gjakut gjatë një trajtimi për zorrë “qorre”, vazhdon të jetë e rëndë. Pos situatës së rëndë shëndetësore të Trojanit, familja e këtij të fundit po e ka të vështirë t’i mbulojë shpenzimet e qëndrimit të tij në spitalin “Sistina” në Shkup.

Në bazë të një fakture të dërguar nga nëna e Trojanit për Familja Jonë, vetëm deri më tani, shpenzimet kanë arritur në hiç më pak se 68 mijë e 987 euro.

Siç tregon ajo, deri më tash ata i kanë paguar afro 20 mijë euro.

“Deri më tani i kemi bërë pagesë afro 20 mijë euro. Nuk e di edhe sa para na duhen për t’i mbuluar shpenzimet e trajtimit sepse ende nuk e dimë edhe sa do të qëndrojë Trojani këtu. Kushdo që mundet le të na ndihmojë me aq sa ka mundësi”, u shpreh ajo.

Tutje ajo u shpreh se gjendja e Trojanit është duke u përmirësuar, por që vazhdon të jetë në kujdes intensiv.

“Trojani vazhdon të qëndrojë në kujdesin intensive në repartin e kardiokirurgjisë në spitalin Sistina në Shkup. Gjendja e tij shëndetësore ëshë duke u përmirësuar. Deri dje ka qenë në koma, ndërsa sot është me oksigjen duke tentuar të zgjohet”, shtoi tutje ajo.

Siç bën të ditur edhe vetë ajo, Trojani fillimisht u trajtua në Gjakovë nga apendiciti (zorra “qorre”) dhe më pas është transferuar në Prishtinë, e pastaj në Shkup.

“Trojani fillimisht është trajtuar në Gjakovë nga apendiciti (zorra “qorre”), ku është operuar në Spitalin “Isa Grezda”. Pas dy dite qëndrimi atje, është përcjellë për në QKUK me infeksionin SEPSA (helmim i gjakut). Aty u operua dy herë për tetë ditë, por pa asnjë rezultat (trajtim joadekuat). Më datë 19.2.2022 ka kaluar në spitalin Sistina me infeksion në gjak, gjakderdhje të brendshme dhe temperaturë 40 gradë.

Trojani në Shkup ka kryer edhe tri operacione të tjera”, shtoi tutje ajo.

Krejt në fund ajo shprehet optimiste se kjo situatë do të kalojë dhe Trojani do t’i kthehet normalitetit.

Ndërkohë, kushdo që ka mundësi t’i ndihmojë familjes financiarisht, numrin e xhirollogarisë dhe detajet e tjera i gjeni në foton më poshtë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë