Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Tri arsye përse notat nuk janë mënyra më e mirë e vlerësimit të nxënësve

Sistemi arsimor është ndër më të diskutuarit dhe që ka ngjallur shumë pakënaqësi, jo vetëm në vendin tonë, por kudo. Megjithatë, disa koncepte, si për shembull ai i notave, janë të përgjithshme. A është sistemi i vlerësimit me notë i duhuri për nxënëxit? A ka ai ndikim pozitiv?

Tri arsye përse notat nuk janë mënyra më e mirë e vlerësimit të nxënësve:

1. Notat  nxisin sjellje nga rreziku

Sigurisht që jemi dakord që performanca më e ulët vlerësohet me notën 4 dhe më e larta me notën 10. Këto lidhje janë të ngulitura thellë në këndvështrimin e shoqërisë për edukimin. Si pasojë, pritshmëria për të marrë një notë krijon frikën për të dështuar. Prandaj nxënësit janë të prirur të zgjedhin rrugën me rezistencën më të vogël, duke zgjedhur 10-n e lehtë. Duke parë shkollimin tim universitar, edhe unë zgjodha në mënyrë strategjike lëndë që më rrisnin koefiçientin për t’u pranuar në degën që doja.

Por si shoqëri, a duam që studentët tanë të përfshihen në këtë lloj sjelljeje? A do t’i bëjë kjo ata individë të arsimuar? Ndoshta, kjo është thjesht e natyrshme për sjelljen njerëzore. Megjithatë, unë mendoj se ne duam që studentët të jenë naivë, të ëndërrojnë ëndrra të mëdha, të rrezikojnë dhe të angazhohen në të menduarit divergjent. Koncepte vërtet inovative shfaqen në mjedise të tilla. Në këtë qasje, nxënësit duhet të përqafojnë dështimin, sepse dështimi dhe suksesi janë dy anët e së njëjtës medalje.

Dizajneri holandez Marcel Wanders njëherë argumentoi: “Të bësh një projekt të mirë në shkollë duhet të ndalohet … nxënësit duhet të bëjnë sa më shumë gabime të jetë e mundur dhe të mësojnë prej tyre.”

Ne mbrojmë një model arsimor që është një strehë e sigurt për dështim. Në vend të kësaj, theksi duhet të vihet në përsëritjet e vazhdueshme dhe prototipizim të shpejtë, duke i lejuar nxënësit të fitojnë aftësinë për të përballuar dështimin dhe për t’u rikthyer.

2. Notat janë bërë qëllimi përfundimtar

“A do të jetë kjo në provim?” është një pyetje tipike që bëhet gjithnjë e më popullore me afrimin e datës së testimit. Duket si një pyetje e pafajshme, por nëse e zbërtheni, shfaqet një trend shqetësues.

Notat, të destinuara në mënyrë ideale si një mjet efektiv për të mësuar, janë shndërruar në një qëllim në vetvete. Notat i detyrojnë nxënësit të mësojnë përmendësh ato detaje të nevojshme për të kaluar një test, shpesh duke shpërfillur të kuptuarit e vërtetë të lëndës. Në këtë proces, zhvillimi personal i nxënësit po bëhet një gjë dytësore, e lënë në hije nga rëndësia imperative e notave. Cilat janë implikimet për institucionet arsimore? Sa efektivë janë ata në përmbushjen e detyrës së tyre, që është edukimi i brezit të ardhshëm?

Është interesante se rëndësia që i kushtojmë notave brenda perimetrit të objekteve arsimore nuk përkon me rëndësinë që kompanitë i japin notave.

Ndoshta varësia strukturore e shoqërisë nga notat ka çuar në një nivel të fryrë rëndësie që mund të na çojë në zhvillimin e aftësive jo optimale që nuk përkthehen drejtpërdrejt në hapësirën e punës.

3. Notat janë forma jo e duhur e marrjes së reagimit

Mendoj se mund të pajtohemi lehtësisht se marrja e komenteve është një pjesë thelbësore e edukimit; na lejon të përmirësohemi.

Megjithatë, a janë notat forma më adekuate e reagimit?

Këtu janë tri arsye pse duhet ta rimendojmë këtë:

1. Nuk ka kufi në të nxënit cilësor. Notat, megjithatë, janë si një tavan xhami që studentët nuk e çajnë. Kjo është për shkak se  shpesh marrja e një note sinjalizon fundin e një procesi mësimor.

2. Nota ndikon fuqishëm në marrëdhënien nxënës-mësues. Një notë nuk duhet parë vetëm si një mjet matës. Marrëdhënia përbëhet edhe dhënia dhe marrja e notës. Ne ndërveprojmë ndryshe me një person që ka marrë një 10 në krahasim me dikë që ka marrë një 5.

3. Ka mospërputhje mes karakterit njëdimensional të notave dhe karakterit shumëdimensional të nxënësve. Ajnshtajni dikur tha: “Të gjithë janë gjeni. Por nëse e gjykon një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në një pemë, ai do të jetojë gjithë jetën e tij duke besuar se është budalla.” Në përputhje me këtë, reagimet personale, në krahasim me notat, mund të ndihmojnë për të bërë dallimin midis “nuk je i mirë në këtë, mos u mubdo më” dhe “nuk je i mirë në këtë me qasjen tënde aktuale; pse nuk provon një qasje ndryshme.

Youtube

Arkiva

Kategoritë