Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Tërheqja e 10% të kursimeve pensionale vaksinë e duhur apo jo për ekonominë- Flasin qytetarët

Altina Marmullaku

Ministria nga Qeveria aktuale nën drejtimin e Avdullah Hotit deklaruan ditë më parë se është marrë vendim, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, të votuar nga Kuvendi i Kosovës që kontribut paguesit të mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve.

Mirëpo sa po e shohin qytetarët si zgjidhje të duhur dhe si ndihmesë të mjaftueshme 10% e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, tregojnë vetë disa prej tyre për portalin Familja Jonë.

Besarta Breznica thotë se duke e njohur sistemin se si paguhen shumica e punëtorëve në Kosovë, paratë e trustit nuk janë aspak ndihmese.

“Duke njohur sistemin se si paguhen shumica e punëtorëve në Kosovë, paratë e trustit nuk janë aspak ndihmese. Gjatë ditëve te para te aplikimeve për trust kemi parë shumë fotografi në rrjete sociale që plot qytetar kanë pasur shumë pak kursime saqë nga ato para kanë përfituar rreth 2 euro. Kjo vjen si pasojë që shumë nga punëtorët ende paguhen me para cash, nuk iu paguhet trusti penzional dhe kanë rroga shumë të vogla.

Ajo thotë se për disa që kanë pasur kursime trusti rreth 10 mijë normalisht që tërheqja prej 10% do të ju ndihmoj, por në anën tjetër kur ka raste të shumta qe kursime në trust kanë 200 euro, 2 euro nuk mundet t’u ndihmojnë asgjë.

“Për disa që kanë pasur kursime trusti rreth 10 mijë normalisht që tërheqja prej 10% do të ju ndihmoj por në anën tjetër, kur ka raste të shumta që kursime në trust kanë 200 euro, 2 euro nuk mund të ju ndihmojnë asgjë”. Nëse shohim në anën tjetër që shumë persona kanë humbur punën gjatë pandemisë e sektori i gastronomisë është ai që ka pasur më së shumti, parat e tërhjekura nga trusti nuk mund të mbulojnë asgjë, madje as shpenzimet për një gjysmë muaji” thotë Breznica.

Tutje ajo shtoi se kjo nuk është një zgjidhje e duhur. Kompanitë duhet të jenë në gjendje të paguajnë punëtorët e tyre si para pandemisë, si gjatë pandemisë, e kjo mund të bëhet me ndihmën që shteti duhet të iu ofroj atyre përcjell portali Familja Jonë.

Ndërsa si rimëkëmbje ekonomike të duhur Besarta thotë se më e mira do të ishte, nëse gastronomia do të lirohej nga pagesat tatimore, pagesat e rrymës dhe ujit.

“Rimëkëmbja ekonomike më e mira do të ishte, nëse gastronomia do të lirohej nga pagesat tatimore, pagesat e rrymës dhe ujit. Kurse për qytetarët do të ishte e rrugës që disa shpenzime të paguheshin, si për shembull ndonjë pjesë e kredisë apo diçka e ngjashme”, u shpreh Besarta.

Rrezarta Kqiku nga qyteti i Gjilani, thotë se sa i përketë çështjes së rimëkëmbjes ekonomike trusti ka qenë me shumë lloj ofendime ndaj punëtorëve të sektorit privat.

“Sa i përketë rimëkëmbjes ekonomike, trusti ka qenë më shumë lloj ofendime ndaj punëtorëve të sektorit privat, sepse nuk ju kanë paguar kontributet në mënyrë të rregullt, trusti e ka ndihmuar vetëm një pjesë të popullsisë që kanë punuar me kontratë të rregullt”.

Ndërsa 10% e trustit për pjesën më të madhe të qytetarëve nuk janë të mjaftueshme.

“Për pjesën më të madhe të qytetarëve që kanë aplikuar 10% e trustit nuk janë të mjaftueshme” thotë Kqiku.

Si zgjidhje të duhur ajo e sheh pagesën për secilën familje në mënyrë të barabartë për secilin qytetar të Kosovës.

“Mendoj se qeveria do të duhej të zgjidhte një formë tjetër p.sh nga një llojë pagese për secilën familje, në mënyrë të barabartë për secilin qytetar të Kosovës”, u shpreh Kqiku.

E disa nga qytetarët e vendit e shohin edhe si rrugë të duhur rimëkëmbjen ekonomike përmes kursimeve pensionale.

Burim Murtezaj, nga qyteti i Skenderajit thotë se e ka parë si zgjidhje të duhur 10% e kursimeve pensionale, për të rregulluar sado pak gjendjen ekonomike të qytetarëve.

“Kjo është zgjidhje e duhur, pasi sado pak na ka ndihmuar financiarisht secilit prej nesh në këtë periudhë të vështirë të pandemisë. Kjo rimëkëmbje ekonomike ka qenë e domosdoshme edhe pse unë mendoj që e kanë bërë më shumë për veti këtë zgjidhje njerëzit e qeverisë”, thotë Murtezaj.

Ndërsa shtoi se sikurse të mos vidhej buxheti i shtetit me vite të tëra siç ka ndodhur në vendin tonë, mënyra më e duhur për rimbursimin ekonomik të qytetarëve do të ishte që populli të financohet nga shteti e jo nga kursimet pensionale.

“Sikur të mos vidhej buxheti i shtetit me vite të tëra, siç ka ndodhur në vendin tonë, mënyra më e duhur për rimbursimin ekonomik të qytetarëve do të ishte që populli të financohet nga shteti e jo nga kursimet pensionale”, shton tutje Burim Murtezaj.

Sead Pantina, nga qyteti i Vushtrrisë thotë se nëse kjo shikohet nga aspekti i përgjithshëm, parat e trustit dalin të jenë mjaft ndihmëse për tregun kosovar, pasi shuma e cila po hyn në treg po është mjaft e madhe, por në aspektin individual po del të jetë më ndryshe pasi që njerëzit po marrin shuma të pakta të parave.

“Nëse shihet në aspektin e përgjithshëm, parat e trustit po dalin të jenë mjaft ndihmëse për tregun kosovar, pasi shuma e cila po hyn në treg është mjaft e madhe, por në aspektin individual po del të jetë më ndryshe pasi që njerëzit po marrin shuma të pakta të parave. Pra si përfundim në tregun e Kosovës po futen në qarkullim shumë e madhe parash, të cilat do të ndihmojnë shoqerinë në këtë kohë pandemie, që për disa po janë ndihmesë e madhe, e për disa e vogël, thotë Pantina.

Ai nuk e sheh këtë si zgjidhje të duhur për shkak të një numri të madhe të njerëzve që marrin shuma të vogla të parave, duke u bazuar në Fondin e Kursimeve Pensionale.

Ndërsa mendon se Qeveria fillimisht duhet të arrij të siguroj të ardhura për qytetarët e papunë dhe pastaj të ju ndihmojë biznesëve.

“Mendoj se Qeveria duhet të arrij të siguroj fillimisht të ardhura për qytetarët e papunë dhe pastaj të ju ndihmoj biznesëve që edhe ato të rimëkëmben dhe të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Mirëpo tek bizneset përpos ndihmesave ekonomike duhet të ndërmerrën edhe lehtësime të tjera të çfarë do forme tjetër”, thotë Sead Pantina.

Deri tani në adresën www.trusti10.org e cila është promovuar dhe dizajnuar për aplikim për tërheqjen e 10%-shit të kursimeve pensionale kanë aplikuar 230 mijë qytetarë./FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë