Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë trajtuar mbi 47 mijë pacientë, prej tyre 13 mijë si shkak i aksidenteve të shkaktuara në komunikacion.
Ai ka thënë se sipas statistikave brenda 24 orëve në Qendrën Emergjente në QKUK trajtohen rreth 300 pacientë.
Syla ka thënë se një numër i madh i pacientëve që pranojnë për trajtim janë nga rastet e aksidenteve të komunikacionit.
“Qendra emergjente është e ngarkuar nga pacientë me një numër të lartë të tyre që prezantojnë gjatë 24 orëve. Ne zakonisht i kemi raportet e punës që i dorëzojmë Drejtorisë së QKUK-së dhe ShSKUK-së çdo tre muaj, tani i kemi përpiluar dhe dorëzuar tre mujorin e dytë apo gjashtë mujorin e punës kështu që shifrat janë ende të larta të pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjentë, do të thotë janë të njëjta me vitin e kaluar. Kemi mbi 476 mijë e 690 pacientë që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjente gjatë këtij gjashtë mujori. Përkundër asaj që veç tre javë janë bërë që jemi në renovim të Qendrës Emergjente, prapë se prapë numri i pacienteve nuk ka zbritje mirëpo është ai trendi i lartë siç ka qenë vitin e kaluar”.
“Statistikat e 24 orëve në Qendrën Emergjente deri para dy muajve të fundit, deri në kohën e gjysmës së majit edhe sot ka qenë diku 272 pacient kanë qenë mesatarja në 24 orë. Në këta dy muajt e fundit është rritur ajo mesatare dhe mbërrin diku 311 deri 313 pacient brenda 24 orëve. Në 24 orët e fundit kemi pasur 292 pacientë që kanë kërkuar ndihmë. Në 24 orët të fundit prej këtij numri të përgjithshëm të pacienteve 18 prej tyre kanë qenë prej aksidenteve të komunikacionit. Kurse nëse e marrim shifrën e gjashtë mujorshit diku, duke e përfshirë traumën, jo vetëm prej aksidenteve të komunikacionit por çdo traumë, çdo lëndime mbërrin diku 13 mijë e 337 pacientë”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se me problemin më të madh që përballet kjo qendër është se një numër i madh i pacientëve që shkojnë për tu trajtuar nuk janë për trajtim të nivelit tretë apo nivelit tercial.
Sipas tij, në mungesë të Spitalit të Prishtinës, Qendra Emergjente dhe QKUK-ja janë duke e luajtur rolin e Spitalit të qytetit.
“Një prej problemeve më të mëdha që ne përballemi këtu është kjo se një numër i madh i pacienteve që prezantojnë Qendrën Emergjente, nuk janë për trajtim të nivelit tretë apo nivelit tercial. Mundet që të marrin trajtimin adekuat edhe në ambulantet e Mjekësisë Familjare, mirëpo në qytetin e Prishtinës ekziston një problem për shkak të mungesës së spitalit të qyteti edhe domosdo Qendra Emergjente edhe QKUK-ja në përgjithësi janë duke e luajtur rolin e Spitalit të Qytetit. Por prapë së prapë mund të themi se një numër i madhi pacienteve nuk kanë nevojë që të trajtohen në QKUK gjegjësisht në Qendrën Emergjente”, ka thënë ai.
Në mungesë të Spitalit të Prishtinës, kryeqytetasit detyrohen të kërkojnë shërbime në Qendrën Emergjente, andaj Syla e sheh të domosdoshme ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Sfidë tjetër është fakti që detyrohen t’i mbajnë pacientët me orë të tëra për shkak të mbingarkimit të klinikave përkatëse. Shembull e merr atë të Mjekimit Intensiv Qendror që pacientët e referuar për këtë klinikë nuk mund t’i dërgojnë për shkak të mungesës së shtretërve të lira.
“Numrin e përgjithshëm të pacienteve normalisht që dominojnë pacientet nga Prishtina. Kur flasim si me arsye si pa arsye shumica prej tyre, me qenë se spitalet rajonale të Kosovës që janë shtatë, kanë mungesë të një profili të caktuar, për shembull të trajtimit të pacienteve atje siç është Neurokirurgjia, Kirurgjia Torakale mandej Kirurgjia, Kirurgjia Vaskulare. Atëherë domosdo ata janë detyruar që t’i dërgojnë pacientet ë tillë në QKUK ku janë kuadri dhe ju jepte tretmani pacienteve të tillë”.
“Është një numër i madh, për shkak ngarkimit të Qendrës Emergjente, ngarkohet edhe mjekimi intensiv qendror, ku dihet që në QKUK Mjekimi Intensiv Qendror i ka 20 shtretër, e shumica e pacientëve të tillë që sillen nga spitalet rajonale vijnë në gjendje të rëndë që duhet asistenca e respiratorëve të kyçen në aparat edhe njëjtën kohë kemi ngarkesë edhe të Qendrës Emergjente edhe mjekimit intensiv qendror. Për shembull kemi raste që duhet që pacienti të mbetet në Qendrën Emergjente 12 orë ose 24 orë për shkak të mungesës së vendeve të Mjekimit Intensiv Qendror. A e dim saktësisht që spitalet e tjera rajonale mjekimet intensive i kanë shumë mirë, por për fat të keq janë shumë pak të shfrytëzuar”, ka thënë ai.