Albina Selmanaj
Për më shumë se 20 vite, Suzana Xhemajli ushtron profesionin e mësueses në një nga shkollat e Prishtinës, shkollë në të cilën ajo ka festuar më shumë se 20 herë ditën e 7 Marsit, datë e cila shënon Ditën e Mësuesve në Kosovë.
Dëshira e saj për të ndjekur rrugën e mësueses kishte filluar qysh në moshë të re, atherë kur për herë të parë ajo u takua me mësuesen e saj tashmë të ndjerë Hajrunisa Sefaja, e cila mbetet ende si inspirimi kryesor për Xhemajlin.
“Qysh e vogël më ka lënë përshtypje qasja e mësueses sime të ndjerë Hajrunisa Sefaja, ishte e butë e afërt kishte shumë qasje pozitive, tregonte dashuri dhe respekt ndaj nesh. Mendoj që qysh atëherë kam filluar të mendoj për profesionin tim si mësuese. Vertet ajo ishte dhe mbetet model i mësimdhënies time. “, tregoi Xhemajli.
Gjatë shpalosjes së kujtimeve të saj si mësuese, Xhemajli përmendi edhe kohën e luftës, periudhë e cila sipas saj ka qenë një nga më të vështirat gjatë profesionit si mësuese, por ajo nuk përjashton edhe vështirësitë që i ndjekin ende mësuesit në Kosovë te të cilat bëjnë pjesë edhe ndryshimet me të cilat është përballur sistemi arsimor në Kosovë viteve të fundit.
“Ky profesion është sfidë në vete sepse është shumë kërkues. Nëse flasim për periudhën e para luftës sfidë kanë qenë rrethanat në të cilat është punuar, ka qenë luftë ta mbajmë të gjallë mësimdhënien në gjuhën shqipe. Ndërsa pas luftës sfidë janë ndryshimet e mëdha që janë bërë në Kurrikulën e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Mirëpo, ajo se çfarë e ka motivuar Xhemajlin që të vazhdoj këtë profesion për më shumë se 20 vite përkundër sfidave të shumta, pa dyshim që ka qenë dashuria ndaj mësuesisë dhe të arriturat e nxënësve të saj të cilët e kanë motivuar që të mos jep dorëheqje asnjëherë.
“Mua më motivon dashuria ndaj mësimdhënies dhe fëmijëve. Vërtetë është një profesion që kërkon përgjegjësi dhe shumë përkushtim por mbi të gjitha më motivon të vazhdoj tutje kur i shoh të arriturat dhe si shpërblim më vie dashuria që marr nga nxënësit.”, shtoi ajo.
Tutje ajo foli edhe për kushtet që i mundësohen këtij profesioni në Kosovë, për të cilat Xhemajli tha se janë larg asaj se si duhet të jenë.
Për fund mësuesja, Suzana Xhemajli përcolli një mesazh përmes një thënie nga Margaret Elizabeth Sangster për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin hapat e saj në të ardhmen.
“Askush nuk mund të mësojë të tjerët nëse nuk është i dashuruar me mësimdhënien.”