Disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta.
Por, raporti i cili është i përpiluar nga shkencëtaret, në të cilin ishin edhe shkencëtaret nga OBSH-ja, erdhi në përfundim që me kërcënimin e Deltës, “dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”.
Po ashtu, autorët e studimit, të cilët shqyrtuan studimet vëzhguese dhe provat klinike, gjetën se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të Coronavirusit.
“Marrë në përgjithësi, studimet e tanishme nuk japin të dhëna të besueshme për rënien substanciale të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit”, tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo, shkencëtare nga OBSH-ja.
Ajo theksoi, se dozat e vaksinës duhet të prioritizohen për njerëzit në mbarë botën që ende janë duke pritur që të vaksinohen.
“Nëse vaksinat dërgohen ku do të bënin më të mirën, ku do të shpejtonin fundin e pandemisë duke parandaluar shfaqjen e varianteve të reja”, shtoi ajo.
Shtetet si Franca veçse kanë nisur dhënien e dozave të treta për personat e moshuar dhe njerëzit me sistem imunitar të kompromentuar, ndërkaq Izraeli ka shkuar edhe më tej, duke u ofruar fëmijëve 12 vjeç e më të rritur dozën e tretë, pesë muaj pas vaksinimit të plotë.
Studimi i publikuar në Lancet vjen në përfundim që variantet ekzistuese nuk janë të zhvilluara aq shumë sa që t’i ikin përgjigjes imunitare që ofrohet nga vaksinat që aktualisht përdoren.
Autorët e studimit kanë argumentuar se nëse mutacione të reja të virusit dalin dhe janë në gjendje t’i ikin kësaj përgjigjeje imunitare, do të ishte më mirë që të administroheshin doza përforcuese të modifikuara për të luftuar variantet e rinj sesa vaksinat ekzistuese.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u ka bërë thirrje që të shmanget dhënia e vaksinave shtesë deri në fund të vitit.
OBSH-ja ka vënë si synim që të gjitha shtetet të vaksinojnë të paktën 10 për qind të popullatës deri në fund të këtij muaji dhe të paktën 40 për qind deri në fund të këtij viti.
Kjo organizatë po ashtu ka thënë se dëshiron që të paktën 70 për qind e popullatës botërore të jetë e vaksinuar deri në mesin e vitit të ardhshëm.