Shikimi i syve është duke u përkeqësuar te fëmijët, sipas një analize botërore. Të dhënat kanë treguar se një në tre fëmijë tani po përballet me shkurtpamësi ose nuk mund t’i shohin gjërat qartë në distancë.
Hulumtuesit kanë thënë se izolimi nga COVID-i ka pasur ndikim negativ në shikim te fëmijët, pasi kanë kaluar më shumë kohë në ekrane dhe më pak në ambiente të jashtme.
Miopia, siç njihet shkurtpamësia, është shqetësim në rritje që pritet të prekë miliona më shumë fëmijë deri më 2050, sipas studimit.
Shkalla më e lartë është në Azi – 85 për qind e fëmijëve në Japoni dhe 73 për qind në Korenë e Jugut janë shkurtpamës, ndërsa mbi 40 për qind ishin të prekur në Kinë e Rusi.
Paraguai dhe Uganda me nga një për qind ishin më së paku të prekur nga miopia.
Studimi, i publikuar nga “British Journal of Ophthalmology”, ka marrë për bazë disa analiza që përfshinin më shumë se pesë milionë fëmijë dhe adoleshentë nga 50 shtete në 6 kontinente.
Numrat kanë treguar se në periudhën 1990-2023 numri i shkurtpamësve është trefishuar, duke kaluar në 36 për qind në nivel të përgjithshëm.
Dhe rritja ishte “në veçanti e theksuar” pas pandemisë së COVID-19, sipas hulumtuesve.
Miopia zakonisht nis në moshën e shkollës fillore dhe përkeqësohet deri në moshën kur sytë ndalen së rrituri, rreth moshës 20-vjeçare.
Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me këtë çështje – jetesa në Azinë Lindore është një nga to.
Varet edhe nga gjenetika, por edhe nga faktorë të tjerë si për shembull se në cilën moshë fëmijët nisin të lexojnë apo shikojnë në ekrane të pajisjeve. Kjo nënkupton që sa më shumë kohë që kalojnë fëmijët e vegjël në libra e ekrane, muskujt e syve të tyre mund të çojnë në miopi.
Në Afrikë, ku shkollimi nis në moshën gjashtë deri tetëvjeçare, miopia është shtatëfish më pak e zakonshme se në Azi ku mësimi nis më herët.
Gjatë pandemisë së COVID-19, miliona njerëz u detyruan të qëndronin të mbyllur për periudha të gjatë.
“Dëshmitë sugjerojnë lidhje potenciale mes pandemisë dhe përshpejtimit të telasheve me shikim te të rinjtë”, kanë shkruar hulumtuesit në studim.
Deri më 2050, sipas parashikimeve, kjo mund t’i prekë gati gjysmën e adoleshentëve në gjithë botën.
Si të mbrohen fëmijët?
Fëmijët duhet t’i kalojnë të paktën dy orë në ambiente të hapura, sidomos në mes të moshave 7 dhe 9-vjeçare, për t’i reduktuar shanset që të jenë shkurtpamës, kanë thënë ekspertë britanikë.
Nuk është e qartë se a ndikon drita natyrale e diellit apo aktivitetet që ndikojnë në sytë e fëmijëve.
“Ka diçka që të qenit jashtë e bën më të mirë për fëmijët”, ka thënë Daniel Hardiman-McCartney nga “UK College of Optometrists”.
Ai po ashtu ka rekomanduar që fëmijëve t’u bëhen teste të shikimit në mes të moshës 7-10-vjeçare, e sidomos nëse prindërit e kanë pasur për vete shqetësimin sa ishin të rinj.
Miopia mund të rregullohet me syza të duhura apo thjerrëza. Thjerrëzat e duhura mund ta ngadalësojnë zhvillimin e miopisë te të rinjtë.
Simptomat e para të shkurtpamësisë
Shikimi me vështirësi nga distanca, sikur leximi në tabelën në klasë
Ulja afër televizorit apo kompjuterit, apo mbajtja e një pajisjeje teknologjike si telefoni a tableti shumë afër fytyrës
Kokëdhimbja
Fërkimi i shpeshtë i syve